Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, së bashku me Drejtuesin Politik të Qarkut Elbasan, Arbjan Mazniku, ishin në Gjinar për të ndjekur nga afër situatën e krijuar si pasojë e kushteve të vështira atmosferike dhe për të koordinuar masat e nevojshme për përballimin e motit të keq.
Gjatë inspektimit në terren, drejtuesit u njohën me gjendjen e akseve rrugore, nivelin e reshjeve dhe problematikat e evidentuara nga strukturat vendore, duke kërkuar angazhim maksimal për garantimin e sigurisë së banorëve dhe vizitorëve që frekuentojnë zonën, veçanërisht gjatë kësaj periudhe dimërore.

Strukturat e Bashkisë së Elbasanit ndodhen në gatishmëri të plotë dhe janë të angazhuara në terren me mjete dhe ekipe pune për pastrimin e borës dhe kriposjen e rrugëve, me synim mbajtjen të hapur të akseve kryesore dhe dytësore, si dhe garantimin e lëvizshmërisë normale të banorëve dhe mjeteve.
Paralelisht me punën për infrastrukturën rrugore, po monitorohet nga afër edhe furnizimi me ujë të pijshëm dhe energji elektrike, ndërsa shërbimi shëndetësor parësor vijon të funksionojë normalisht për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve në çdo rast nevoje.

Bashkia e Elbasanit u bën thirrje banorëve dhe vizitorëve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, të respektojnë udhëzimet e autoriteteve dhe të pajisin automjetet me zinxhirë apo goma dimërore, veçanërisht në zonat malore si Gjinar, ku kushtet e motit mund të ndryshojnë me shpejtësi.
Institucioni vendor siguron se mbetet në monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe në gatishmëri të plotë për t’iu përgjigjur çdo nevoje apo emergjence, duke bashkëpunuar ngushtë me të gjitha strukturat përgjegjëse për menaxhimin e situatave të motit të keq.


