Erseka nën petkun e bardhë, parajsa dimërore që po e kthen Kolonjën në magnet të turizmit malor

Pamjet magjepsëse që vijnë këto ditë nga Erseka dhe zonat përreth saj janë një kartolinë e gjallë dimri. Dëbora ka mbuluar çdo cep të kryeqendrës së Bashkisë Kolonjë dhe fshatrave përreth, duke i shndërruar ditët e para të Vitit të Ri 2026 në një spektakël natyror që të lë pa frymë. Qyteti i Ersekës, i rrethuar nga male madhështore, ku pushtetin e mban përjetësisht Gramozi, dhe me natyrë pothuajse të paprekur, po përjeton një ringjallje të vërtetë si destinacion i turizmit malor dimëror, gjithnjë e më i kërkuar nga turistë vendas dhe të huaj.

Kolonja, e pozicionuar në juglindje të Shqipërisë dhe e kufizuar nga Devolli e Korça në veri, Përmeti në perëndim e jug dhe Greqia në lindje, është një thesar natyror e kulturor ende i paeksploruar plotësisht. Dëbora ka nxjerrë në pah bukurinë e rrallë të relievit të saj, duke e kthyer këtë krahinë në një parajsë për adhuruesit e natyrës, sporteve dimërore dhe aventurës.

Edhe pse për vite me radhë disa zona turistike janë shfrytëzuar dobët, potenciali i Kolonjës mbetet i jashtëzakonshëm. Sfidat ekzistojnë, nga shfrytëzimi pa kriter i pyjeve te banesat historike të patriotëve të braktisura dhe muzetë e paktë, por bukuria natyrore dhe trashëgimia kulturore janë aty, të gatshme për t’u kthyer në një motor zhvillimi të qëndrueshëm turistik, sidomos për turizmin kulturor, malor dhe ndërkufitar.

Këtë fillim viti, ashtu si vitet e fundit, Kolonja vijon të jetë ndër destinacionet më të preferuara nga turistët e huaj, sidomos ata të aventurës, kryesisht nga Evropa Qendrore dhe Lindore. Ata vijnë për të eksploruar shtigjet malore, për të përjetuar turizmin e aventurës dhe për të zbuluar destinacione të reja në një territor ende të virgjër. Afërsia me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut e bën zonën e Kolonjës edhe më të aksesueshme për vizitorët ndërkombëtarë.

Rrëzë malit madhështor të Gramozit, fshati Rehovë shfaqet si një perlë autentike e Kolonjës. Arkitektura e veçantë me shtëpi prej guri të bardhë, rrugicat me kalldrëm, kishat shekullore dhe mikpritja e banorëve krijojnë një ansambël të rrallë historik e kulturor. Dikur i panjohur për të huajt, Rehova ka përjetuar një transformim të jashtëzakonshëm gjatë tre viteve të fundit, duke u kthyer në një destinacion të kërkuar për turistët e aventurës, çiklistët dhe alpinistët.

Një tjetër pikë kulmore e turizmit në Ersekë është zona Gërmenj–Shelegur, një mozaik i vërtetë relievi, bimësie dhe bukurish natyrore. Kjo zonë ofron mundësi të pafundme për aktivitete gjatë gjithë vitit: ecje në natyrë, ngjitje malore, kalërim, peshkim, piknikë, ski në dimër dhe not në verë. Itinerari drejt Gërmenjit është i thjeshtë dhe një udhëtim më vete për syrin e vizitorit, duke kaluar nëpër fshatra piktoreskë si Selenica, Borova, Barmashi e deri në Leskovik.

Kolonja është gjithashtu një thesar i vërtetë i trashëgimisë kulturore dhe natyrore. Kalatë antike, urat karakteristike, banesat historike të figurave të shquara, kishat dhe teqetë, si dhe monumentet natyrore, nga Liqeni Akullnajor i Gramozit, ujëvarat, burimet termale, pyjet shekullore e kanionet, e bëjnë këtë krahinë një destinacion unik për çdo lloj turizmi: kulturor, fetar, natyror, sportiv dhe speleologjik.

Në fshatrat e Kolonjës rrëzë Gramozit, turizmi i aventurës po hap horizonte të reja punësimi për banorët vendas, duke nxitur zhvillimin e bizneseve të vogla familjare dhe duke i dhënë jetë zonave që dikur rrezikonin braktisjen. Takimet me njerëz bujarë, mikpritës dhe të kulturuar janë pjesë e përvojës që Kolonja u ofron vizitorëve.

Këtë dimër, Erseka dhe e gjithë Kolonja janë më shumë se një destinacion; janë një përjetim. Nën petkun e bardhë të dëborës, kjo krahinë po shkruan një kapitull të ri, duke u shndërruar në një përrallë dimërore shqiptare dhe në një pikë referimi për turizmin malor dimëror në Shqipëri.

Fotot nga Xhensil Shkëmbi

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Partia politike dhe shoqëria

  Kërkesa e vazhdueshme e shoqërisë për progres ushqen vullnetin...