Elbasani luan këtë të shtunë një 90-minutësh të rëndësishëm sa i përket objektivave sezonale dhe ecurisë së skuadrës. Përballë kanë Flamurtarin, të cilin do ta sfidojnë fillimisht në Kupë, me synimin për ta kaluar me sukses dhe për të vijuar rrugëtimin në këtë kompeticion. Duke ditur formulën që luhet vetëm me një ndeshje, çdo gabim është i ndaluar dhe në Elbasan duket se janë të përgatitur për të zhvilluar një ndeshje perfekte. Gjithçka duket në rregull, pasi grupi është i plotë, me përjashtim të mesfushorit Isi Manellari, i cili ka një shqetësim dhe me shumë gjasa do të pushojë për ndeshjen e nesërme. Stafi teknik po i kushton vëmendje maksimale çdo detaji, duke e konsideruar këtë takim si një test të rëndësishëm për vazhdimësinë e sezonit.
MERXHA – Duelin me Flamurtarin e analizon në një prononcim për “Panorama Sport” ish-futbollisti i të dyja skuadrave, Eriol Merxha. Ai ka besim te forca e Elbasanit, duke nxjerrë në pah se klubi ka objektiva për të shkuar sa më larg edhe në Kupë. “Besoj se do të shfaqemi mirë në ndeshjen e parë të Kupës me Flamurtarin, me pritshmëri që janë të mëdha. Siç dihet, objektivat që ka klubi janë që të shkohet sa më larg si në kampionat, ashtu edhe në Kupë”, u shpreh fillimisht ish-tekniku i Elbasanit. Sa i përket arritjes deri te ngritja e trofeut, ai thekson se gjithçka duhet lënë rrugës, por rëndësi ka fakti që elbasanasve nuk u mungojnë ambiciet. “Normalisht shpresoj që të përfaqësohemi në mënyrë dinjitoze me ekipin e Elbasanit në Kupë, por gjithçka mbetet për t’u parë rrugës”, theksoi më tej Eriol Merxha.
MERKATO – Në vijim, ish-futbollisti ndalet te merkatoja, duke dhënë edhe këshilla për klubin. Sipas tij, afrimet e reja duhet të jenë mbi nivelin aktual të skuadrës, ndërsa dëshira mbetet që sa më shumë lojtarë të akademisë të jenë pjesë e ekipit të parë. “Të gjithë do të donim të vinte ndonjë lojtar me potencial më të madh sesa ata aktualë, për ta përforcuar edhe më tej skuadrën. Shpresoj që gjatë kësaj periudhe të dalin në pah edhe disa lojtarë të akademisë dhe pse jo të luftojnë fort për të marrë ndonjë vend titullari, siç ka ndodhur dikur, kur kishte shumë futbollistë të akademisë në skuadrën e parë”, u shpreh Merxha.
FLAMURTARI – Elbasanasi ka mbajtur veshur edhe fanellën e Flamurtarit dikur, me të cilin ka fituar edhe Kupën e Shqipërisë. Teksa ruan kujtimet më të mira me vlonjatët, ai shpreh besimin se skuadra do të dijë të dalë nga situata e vështirë ku ndodhet aktualisht. “Ia kam kaluar shumë mirë kur kam qenë pjesë e Flamurtarit, ku kam fituar edhe Kupën e Shqipërisë. Kam respekt maksimal për këtë klub. Aktualisht është një ekip i ngritur rishtazi, me shumë afrime dhe kuptohet që i duhet kohë për t’u konsoliduar. Besoj se do të bëjnë mirë, por shpresoj që kjo të ndodhë pas dy ndeshjeve me Elbasanin (qesh)”, mbylli prononcimin e tij për gazetën ish-mesfushori i Elbasanit dhe Flamurtarit, Eriol Merxha.

