Fushë Gurra, festa që bashkon brez pas brezi bijtë e Çermenikës

Nga Fatmir Popja

Në Fushë Gurrë, në zemër të kraninës së Çermenikës, aty ku natyra flet me gjuhën e saj të pastër dhe e shkuara kumbon në kujtesën e çdo biri të kësaj toke. Si gjithmonë edhe këtë verë në Fushë Gurrë u zhvillua Festa tradicionale e Çermenikës, një nga ngjarjet më domethënëse kulturore dhe shpirtërore për këtë krahinë.

Organizuar me përkushtim nga Shoqata “Çermenika 2017”, nën drejtimin e z. Behar Almeta dhe stafit, kjo festë ka kaluar përtej një eventi tradicional. Ajo është kthyer në një moment bashkimi, rikthimi dhe reflektimi për çermenikasit kudo që ndodhen, në vendlindje, në qytetet e Shqipërisë apo në diasporë.

Fjalë zemre dhe vizione për të ardhmen

Në përshëndetjen e tij për të pranishmit, Kryetari i Bashkisë Librazhd, z. Mariglen Disha, u shpreh se për të është kënaqësi e jashtëzakonshme të jetë mes çermenikasve dhe miqve të tyre për të festuar këtë traditë të bukur të zonës. Kryebashkiaku Disha falënderoi z. Josif Gorrea, Kryetarin e Bashkisë Divjakë, që i ishte bashkuar kësaj feste, si dhe Shoqatën ‘Çermenika 2017’ për organizimin e shkëlqyer në çdo aspekt të këtij eventi. Kryebashkiaku Disha theksoi para të pranishëmve edhe rëndësinë e ‘Paketës së Maleve’, si një mundësi reale për zhvillimin e turizmit malor edhe në zonën e Çermenikës. “Ju ftoj të aplikoni dhe të investoni në këtë potencial turistik të jashtëzakonshëm që kemi”, ishte thirrja e kryebashkiakut librazhdas për familjet e fshatrave të kësaj zone.

Ndërsa kryetari i Bashkisë Divjakë, z. Josif Gorrea, në një fjalë përshëndetëse të ngrohtë, vlerësoi mikpritjen e librazhdasve dhe çermenikasve si edhe natyrën e mrekullueshme të zonës. “E pranova me kënaqësi ftesën për të qenë pjesë e kësaj feste. Në Divjakë, sidomos në zonën e Çermës, jeton një komunitet i madh me çermenikas. Ata janë njerëz punëtorë, me tradita dhe vlera të forta. Jam i impresionuar nga natyra dhe përkushtimi bashkisë Librazhd për të investuar në çdo drejtim dhe sidomos në infrastrukturë në këtë zonë piktoreske. Do të rikthehem me shumë dëshirë dhe shumë shpesh në këtë zonë fantastike me njerëz të mrekullueshëm”, tha në mbyllje të fjalës së tij plot emocione dhe dashuri për këtë komunitet, Josif Gorrea, kryebashkiak i Divjakës.

Deputeti i zonës, z. Olsi Komici, nënvizoi vlerat kulturore dhe potencialin zhvillimor të Çermenikës.“Traditat e kësaj zone janë thesare shpirtërore që meritojnë të promovohen. Turizmi malor është një mundësi konkrete për zhvillimin e qëndrueshëm të kësaj treve. Falenderoj Shoqatën ‘Çermenika 2017’ dhe z. Almeta për organizimin shembullor të kësaj feste”, pohoi Komici.

Festa e Fushë Gurrës shndërrohet në përqafime

Festa në Fushë Gurrë nuk ishte thjesht një takim, por një përqafim i madh midis njerëzve dhe vendlindjes. Ajo rikthen çdo vit emocionin, kujtimet, dhe mallin për tokën mëmë. Kjo ditë përshkohet nga një atmosferë unike, ku cicërimat e zogjve, freskia e ajrit malor dhe blegërimat e bagëtive ndërthuren me tingujt e muzikës, këngës e valles. Njerëz nga të katër anët e Shqipërisë dhe nga mërgimi udhëtuan për të qenë pjesë e kësaj ngjarjeje, që tashmë ka fituar statusin e një feste kombëtare shpirtërore. Nuk mungoi kulinaria e pasur e zonës, uji i ftohtë kristal dhe një gjelbërim që të qetëson shpirtin.

Një urë që lidh të shkuarën me të ardhmen

Çermenika nuk është thjesht një emër në hartë, është një zemër që rreh fuqishëm në gjokset e bijve të saj, kudo që ata ndodhen. Dhe për sa kohë do të ketë njerëz që e duan dhe e festojnë, kjo zemër do të vazhdojë të rrahë me të njëjtin ritëm. Çdo 10 gusht, kjo festë bëhet një urë midis brezave. Për mërgimtarët, është kthim në prehërin e fëmijërisë, për të rinjtë, një ftesë për të njohur rrënjët, për të moshuarit, një shpresë se zëri i Çermenikës do të vazhdojë të dëgjohet brez pas brezi. Një këngë që nuk shuhet kurrë, sepse buron nga zemra e saj dhe zemrat e çermenikasve kudo ata ndodhen.

 

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME

Elbasani synon ringjalljen e sportit në shkolla, Klubi Shumësportësh në nismë për talentet e reja

Klubi Shumësportësh Elbasani vijon të ndërmarrë hapa konkretë për...

Nis ndërtimi i urës së Papërr-Sollakut, një premtim që bëhet realitet për banorët

Në njësinë administrative Papërr, në fshatin Papërr-Sollak, kanë nisur...

PD publikon deklaratën e pasurisë së Presidentit Begaj: Të ardhura edhe nga një spital privat në vitin 2023

Partia Demokratike ka publikuar sot deklaratën e pasurisë së...

Taulant Balla: “Presidenti Begaj nuk ka kryer asnjë shkelje dhe nuk do të shkarkohet”

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla,...