Komiteti i Dytë i Përbashkët Konsultativ, mes Komitetit Evropian të Rajoneve dhe Shqipërisë, u mbajt sot në Tiranë.
Delegacioni i Bashkimit Evropian në vendin tonë, në një njoftim në rrjetet sociale thekson se ky sesion shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të përfshirjes së nivelit lokal në procesin e integrimit në BE.
Sipas BE-së, diskutimet u fokusuan në rolin dhe nevojat e bashkive në procesin e anëtarësimit, si dhe në mbështetjen që ofron BE-ja përmes Planit të Rritjes dhe programeve të tjera për të nxitur zhvillimin lokal dhe për të promovuar demokracinë lokale.
“Bashkitë shqiptare ende përballen me sfida të mëdha dhe vendi duhet të bëjë të gjitha përpjekjet e nevojshme për të krijuar një mjedis mundësues që ato të kontribuojnë në procesin e anëtarësimit në BE, të përgatiten për të përfituar sa më mirë nga mundësitë dhe fondet e BE-së, dhe në fund të shërbejnë më mirë qytetarët, familjet dhe komunitetet kudo që jetojnë. BE-ja do të vazhdojë të mbështesë bashkitë e Shqipërisë përmes programit të ri EU4Municipalities, me vlerë 11 milionë euro, që nis nga 1 janari. Ne duam të forcojmë kapacitetet lokale, investimet, demokracinë lokale dhe pjesëmarrjen gjithëpërfshirëse të qytetarëve”, u shpreh në fjalën e tij ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato.
Gjithashtu, në takim ishin të pranishëm edhe disa prej kryetarëve të bashkive më të mëdha në vend, mes tyre edhe kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako.
Sako tha se në këtë event u prezantua projekti “BE për Bashkitë”, ndërsa bashkëbisedimet u fokusuan në tema si Bashkitë dhe Integrimi në BE, Plani i Rritjes dhe Fondet e BE-së si Mundësi për Zhvillimin Vendor, Rëndësia e Decentralizimit Fiskal dhe Qëndrueshmërisë Financiare për Demokracinë Vendore.
“U diskutua gjithashtu për rolin që kanë qeverisjet vendore në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Në fjalën time theksova se mbështetja e BE-së duhet të bëhet më e prekshme për qytetarët tanë, në mënyrë që ata të fillojnë të përjetojnë standardet evropiane të shërbimeve që sot, teksa vendi ynë ndodhet në negociata për anëtarësim”, tha Sako.
Në këtë aktivitet, morën pjesë ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, Këshilltari Rajonal i Toskanës, Antonio Mazzeo, drejtorja ekzekutive e Shoqatës Kombëtare të Bashkive, Adelina Farriçi, përfaqësues të BE, ekspertë vendas e të huaj, kryetarë të disa bashkive të vendit, etj.



