Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti kërkoi sot sërish nga Tirana që BE të heqë masat ndëshkuese ndaj vendit të tij.
Kurti mbajti fjalë në Samitin për Planin e Rritjes, “Rruga jonë drejt BE”, që bëri bashkë liderët e Ballkanit Perëndimor, Komisioneren për Zgjerimin e Bashkimit Europian Marta Kos, përfaqësues të lartë nga Komisioni Europian, si dhe nga organizatat rajonale.
Gjatë këtij Samiti u diskutua për Planin e Rritjes, integrimin ekonomik dhe transformimin e rajonit drejt Tregut të Bashkimit Europian, i cili promovon një mjedis të favorshëm për inovacionin, sipërmarrjen dhe progresin teknologjik dhe krijon mundësi të reja për zhvillim të qëndrueshëm dhe konkurrueshmëri, si një gur themeli për rritjen afatgjatë dhe konvergjencën e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.
Fillimisht Kurti uroi Shqipërinë në avancimin e saj drejt Bashkimit Evropian me hapjen e kapitullit të fundit, duke shënuar hapjen e secilit prej 33 kapitujve.
Kryeministri në detyrë i Kosovës tha se “masat e BE-së të ndërmarra ndaj Republikës sonë demokratike në Ballkanin Perëndimor i bëjnë dëm linjëzimit tonë të plotë me Politikën e Përbashkët për Punë të Jashtme dhe Siguri të BE-së”.
“Kjo është hera e fundit që do të adresoj masat ndëshkuese të BE-së. Ato duhet të hiqen plotësisht dhe tërësisht, ashtu siç kërkoi vitin e kaluar ish-Përfaqësuesi i Lartë dhe ish-Zëvendëspresidenti i BE-së, Josep Borrell”, shtoi ai.
Kurti tha më tej se “asnjë vend në rajonin tonë nuk ka qenë më i përgatitur në momentin e kërkimit të statusit të vendit kandidat sesa Kosova sot. Të flitet për urgjencën e zgjerimit (të BE-së) në njërën anë, ndërkohë që lihet aplikimi i Kosovës të mbledhë pluhur për tre vjet në një raft të BE-së, është, së paku, një paradoks”.
Kurti nënvizoi se “vonesat në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve të shkurtit të këtij viti shkaktuan pengesa, megjithatë ky ishte një ushtrim i demokracisë, ku deputetët shprehën vullnetin e tyre të lirë, ku procedurat u respektuan dhe mosmarrëveshjet u zgjidhën në gjykatë”.
“Tani po shkojmë drejt zgjedhjeve të treta brenda një viti, të cilat, siç kanë treguar dy të mëparshmet, do të jenë të lira, të ndershme dhe konkurruese, duke treguar qëndrueshmërinë e demokracisë sonë dhe fuqinë e institucioneve tona. Jam i bindur se këto zgjedhje do të rezultojnë në një qeveri të re që do të ecë shpejt në zbatimin e Agjendës së Reformave të Planit të Rritjes”, u shpreh ai.
Gjithashtu, vijoi Kurti, e kuptojmë se përparimi ynë individual drejt bashkimit me Tregun Unik të BE-së është i lidhur ngushtë me përparimin tonë kolektiv në lëvizshmërinë dhe tregtinë rajonale, ose, siç do të thoshte Komisioni, Shtylla e Parë është e lidhur me Shtyllën e Dytë të Planit të Rritjes.
Kurti theksoi se “për mandatin tonë të ardhshëm, ne planifikojmë të ndajmë të paktën një miliard euro në vit në investime kapitale për projekte strategjike. Ne kemi një klimë ekonomike gjithnjë e më të fortë. Ne renditemi të 26-tët në nivel global dhe të parët në Ballkanin Perëndimor, sipas Indeksit Global të Riskut dhe Rezistencës së Investimeve të Henley & Partners. Të frymëzuar nga pritja pozitive e konferencave të investimeve në Tiranë dhe Podgoricë, ne mezi presim mundësinë për të sjellë një forum edhe në Prishtinë”.

