Sabri Dalipi: Elbasani po “çel” në momentin e duhur – Dinamo sfidë e fortë, por e kalueshme

Ish-drejtuesi elbasanas, Sabri Dalipi, shprehet se Elbasani po kalon një fazë shumë pozitive dhe se përballja me Dinamon vjen pikërisht në kohën e duhur. Sipas tij, skuadra ka treguar përmirësim të dukshëm në lojë, ritëm dhe organizim.

“Shoh një rritje reale. Ka më shumë qartësi në ndërtim dhe më pak gabime. Kjo është periudha kur ekipi po gjen veten”, thekson Dalipi, duke shtuar se forma e fundit i jep Elbasanit besim për të kërkuar tre pikët.

Ai ndalet edhe te fusha e “Air Albania”-s, që e sheh si një avantazh për verdheblutë. “Elbasani shpesh luan më i lirë jashtë. Në ‘Air Albania’ ka terren perfekt dhe presioni është më i vogël. Kjo e favorizon skuadrën që kërkon të bëjë lojë”, thekson ai, duke e cilësuar ambientin si më të përshtatshëm për lojtarët.

Për objektivin “Final 4”, Dalipi është optimist: “Me atë që ka treguar skuadra, katërshja e parë duhet të jetë e arritshme. Ka cilësi dhe ekuilibër, mjafton të ruhet vazhdimësia”.

Një tjetër faktor vendimtar është gjendja fizike. Sipas tij, ekipi ka bërë një hap të madh: “Fiziku ka ardhur në rritje. Lojtarët vrapojnë më shumë, mbyllin hapësirat dhe nuk bien në minutat e fundit. Kjo u ka dhënë pikë që më parë mund t’i humbnin”.

Në sulm, Dalipi veçon Tsague-n si lojtar kyç në ecurinë e fundit: “Ai është kthyer në pikë referimi. Mbron topin, punon fort dhe po shënon rregullisht. Kur sulmuesit gjejnë golin, ndryshon gjithë atmosfera e ekipit”.

Nga ana tjetër, ai mbetet i qartë për mentalitetin që duhet të shoqërojë skuadrën në këtë sfidë delikate: “Duhet qetësi dhe inteligjencë. Elbasani nuk ka pse të hyjë me presion. Me mënyrën si po luan, rezultati pozitiv është brenda mundësive”.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME