Protesta që po mbahet sot, e cila sipas kreut të Partisë Demokratike do të jetë e vazhdueshme, është quajtur nga Sali Berisha “Foltorja e Dytë”. Ai shpjegoi edhe misionin e kësaj iniciative, duke theksuar se synimi është të “shpëtojë Shqipërinë nga regjimi i krimit”.
“Shumë kanë pyetur: Çfarë është kjo foltore? Çfarë platforme? Nuk është një gjetje origjinale e PD-së. Një platformë e tillë, në një fushë tenisi, transformoi Francën dhe Europën gjatë revolucionit. Foltorja me qytetarët e çliroi opozitën, e shpëtoi atë dhe e ktheu në forcë sovrane të shqiptarëve”, deklaroi Berisha.
Ai shtoi se foltorja ka kaluar pengesa të mëdha: “U përball me represion, agresion dhe vështirësi të papara, por sot ajo mblidhet sërish. Foltorja nuk ka më synim të shpëtojë vetëm opozitën, por ka mision të shpëtojë Shqipërinë nga regjimi”.
Duke iu referuar situatës aktuale, Berisha u shpreh: “Për të kuptuar pak misionin, hapni sytë dhe shikoni si e kanë rrethuar”.

