Në qendrën e kryeqytetit, në kubin #InNature, “shtëpinë” e zonave të mbrojtura, Ministri i Mjedisit Sofjan Jaupaj prezantoi projektin e ri “Ballkonet Panoramike”, një nismë që synon të sjellë vizitorët edhe më pranë natyrës dhe biodiversitetit të Shqipërisë.
Projekti, i ideuar nga Ministria e Mjedisit në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, parashikon ngritjen e 12 pikave panoramike në parqe kombëtare dhe natyrore në çdo qark të vendit.

Këto struktura do të jenë në harmoni me mjedisin përreth dhe karakteristikat unike të çdo zone, duke ofruar një përvojë të veçantë vëzhgimi për vizitorët dhe duke rritur potencialin ekoturistik.
Ministri Jaupaj theksoi se kjo nismë është pjesë e angazhimeve për përmbushjen e objektivave të Kapitullit 27 dhe afrimit të standardeve mjedisore me ato të Bashkimit Europian. Sipas tij, përveç politikave, procesi kërkon projekte konkrete në terren që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e mbrojtjes së natyrës.

Ai shprehu mirënjohje për ekipin e AKZM dhe partnerët që po e çojnë përpara këtë iniciativë, duke theksuar rëndësinë e saj për ruajtjen dhe promovimin e zonave të mbrojtura në të gjithë Shqipërinë.

