Elbasani po kalon një periudhë shumë pozitive në kampionat, duke u vendosur me meritë në krye të renditjes me 23 pikë, po aq sa edhe Vllaznia. Pas një fillimi të kujdesshëm, verdheblutë kanë gjetur ekuilibrin e duhur mes një mbrojtjeje solide dhe efikasitetit në fazën sulmuese. Statistikat tregojnë se skuadra di të fitojë ndeshje të vështira me rezultat minimal, por edhe të dominojë kundërshtarin kur ritmi i lojës i lejon.
Grupi i ndërtuar nga trajneri Ivan Gvozdenoviç është përmirësuar nga java në javë, duke krijuar një identitet të qartë dhe funksional loje. Skuadra paraqitet kompakte në mbrojtje dhe e rrezikshme në kundërsulm, ndërsa shfrytëzimi maksimal i episodeve është kthyer në një nga armët kryesore të saj. Përballja e ardhshme me Dinamon shihet si një tjetër test për të matur forcën dhe qëndrueshmërinë e ekipit në vazhdimësi.
Golashënuesit e huaj – shtylla kryesore e sulmit
Në 11 javët e para, Elbasani ka realizuar 13 gola, duke pasur sulmin e dytë më të mirë pas Vllaznisë. Edhe pse skuadra nuk shënon shumë, ajo shënon në momentet më të rëndësishme. Analiza e “Panorama Sport” tregon se pjesa më e madhe e golave mbajnë firmën e lojtarëve të huaj, duke dëshmuar ndikimin e afrikanëve dhe futbollistëve të ardhur nga jashtë në lojën e verdhebluve.
Ibrahima Diallo kryeson listën me 4 gola, duke konfirmuar instinktin e tij të fortë në zonë dhe rol vendimtar në ndeshjet kyçe. Pas tij renditet Blaise Tsague me 3 realizime, i njohur për shpejtësinë dhe shpërthimin e tij. Ndërkohë, Ze Gomesh ka shtuar një tjetër gol të rëndësishëm, plotësuar kështu “trion afrikane”. Këta futbollistë, përveç golave, kanë sjellë freski, lëvizshmëri dhe agresivitet në zonën kundërshtare. Madje edhe autogoli i vetëm në kampionat mban firmën e një të huaji, Rodrigues, në ndeshjen hapëse ndaj Flamurtarit.
Kontributi shqiptar – efikasitet i qartë dhe i qëndrueshëm
Megjithëse të huajt kanë spikatur, edhe lojtarët shqiptarë kanë qenë të pranishëm në tabelën e realizatorëve, duke provuar se Elbasani nuk varet vetëm nga afrikanët. Fatjon Bunjaku ka realizuar dy gola të vlefshëm për ecurinë e ekipit, ndërsa Kristi Qose dhe Xhonatan Lajthia kanë kontribuar me nga një gol secili. Shpërndarja e golave në disa emra tregon qartë se skuadra funksionon mbi bazën e lojës kolektive dhe në momentet vendimtare secili futbollist mund të bëjë diferencën.
Kush pritet të shpërthejë?
Në aspektin ofensiv, Elbasani ka ende rezerva për t’u shfrytëzuar. Dy emrat nga të cilët pritet më shumë në fazën e dytë të kampionatit janë Arsen Lleshi dhe Roei Ben Shimon. Lleshi, i rikthyer pas një dëmtimi të gjatë, po fiton gradualisht minuta dhe më shumë ritëm. Ai konsiderohet një alternativë serioze në majë të sulmit, falë përvojës dhe nuhatjes së tij për gol.
Nga ana tjetër, izraeliti Ben Shimon ka pasur pak hapësira për shkak të formës së mirë të Diallos dhe Tsague-së, por stafi teknik e vlerëson shumë për teknikën dhe lëvizjet inteligjente pa top. Ai pritet të ketë një rol të rëndësishëm në vazhdimësi, sidomos kur kampionati të hyjë në fazën e tij më të nxehtë.



