Skuadra e Sopotit ka pësuar këtë javë humbjen e parë sezonale në Grupin A të Kategorisë së Dytë, në përballjen ndaj Shirokës, një ndeshje e ekuilibruar për pjesën më të madhe të kohës, por që u vendos nga një episod tepër i diskutueshëm në minutat e fundit.
Sipas drejtuesve të klubit librazhdas, rezultati u ndikua drejtpërdrejt nga një vendim i gabuar i gjyqtarit anësor, Ernest Ahmeti. Në momentet kur takimi po shkonte drejt barazimit 1-1, një gabim i mbrojtësit Ledio Ukaj u shfrytëzua nga Shiroka për të realizuar golin e dytë, që sipas pamjeve filmike të siguruara nga Sopoti, është shënuar nga një pozicion i qartë jashtë loje.
Pas ndeshjes, drejtori teknik Fatjon Xhafa reagoi ashpër në media, duke e cilësuar vendimin si “të turpshëm dhe skandaloz”.
“Na hodhi poshtë djersën dhe mundin një anësor foshnjarak dhe amator, që nuk dinte çfarë të sqaronte kur i treguam pamjet pas ndeshjes. Nuk mundet që një gjyqtar 18-vjeçar, i paformuar dhe i papërgjegjshëm, të vendosë fatin e një ndeshjeje me një vendim të tillë absurd”, – u shpreh Xhafa.
Më tej, ai shtoi se klubi ka informacione se gjatë pushimit të pjesëve, anësori është kontaktuar nga persona të jashtëm për të ndikuar në favor të skuadrës shkodrane.
“Kjo është aq skandaloze sa edhe e pabesueshme, por jemi të bindur për atë që themi. Nëse federata nuk merr masa, do ta çojmë çështjen në çdo instancë”, – theksoi Xhafa.
Sopoti ka bërë të ditur se do t’i drejtohet zyrtarisht FSHF-së, duke dërguar pamjet filmike të ndeshjes dhe një ankesë zyrtare për gjyqtarin anësor.
“Kërkojmë që të tregohet më shumë kujdes me përzgjedhjen e arbitrave në ndeshje vendimtare, sepse kështu po shkon dëm gjithë puna e bërë me vite”, – përfundoi Xhafa.

