Paraditen e kësaj të hëne, Librazhdi u mbush me emocione, respekt dhe krenari kombëtare. Veteranë të Luftës Nacionalçlirimtare, familjarë të dëshmorëve, qytetarë të shumtë dhe përfaqësues të institucioneve vendore u mblodhën në sheshin kryesor për të përkujtuar Ditën e Çlirimit, 10 Nëntorin e vitit 1944, ditën kur Librazhdi fitoi lirinë.
Në ceremoninë zyrtare morën pjesë kryetari i Bashkisë, Mariglen Disha, deputeti Olsi Komici, nënprefekti Josif Laska, si dhe përfaqësues të forcave të ndryshme politike, duke e kthyer këtë ditë në një moment uniteti dhe nderimi për të gjithë ata që dhanë jetën për atdheun.

“10 Nëntori është një kurorë nderi mbi Shkumbin e malet e Shebenikut, një ditë kur besa shqiptare, nderi dhe trimëria u bënë një. Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare ishte akti më i lartë i dashurisë për atdheun, që ngriti jo vetëm Librazhdin, por gjithë Shqipërinë në krahun e fitimtarëve,” – u shpreh deputeti Olsi Komici në fjalën e tij përshëndetëse.
Në kujtesën e kësaj dite qëndrojnë me respekt bijtë dhe bijat e kësaj toke që zgjodhën dinjitetin para frikës, besën para kompromisit, atdheun para vetes. Ata derdhën gjakun për flamurin kuqezi, që Shqipëria të qëndronte e lirë, krenare dhe e pavarur.

Në atë epope lavdie, Brigada e XX Sulmuese solli dritën e çlirimit në Librazhd, një brigadë trimërie, sakrifice dhe nderi. Në radhët e saj, krahas shumë djemve e vajzave të kësaj treve, luftoi me zemër edhe partizani Dilaver Komici, një ndër bijtë që lanë pas histori dhe amanet: të duam Shqipërinë me vepra, ta mbrojmë me dinjitet, ta nderojmë me punë.
Krenar për këtë trashëgimi, deputeti Olsi Komici kujtoi me emocion figurën e gjyshit të tij dhe të gjithë dëshmorëve që u bënë gurë themeli të shtetit dhe kombit shqiptar.

“Dëshmorët tanë janë emra që duhen përmendur me përulësi, ruajtur me kujdes dhe nderuar çdo ditë. Patriotizmi sot matet me dinjitetin e kujtesës, me respektin për flamurin, për gjuhën, për tokën dhe për njëri-tjetrin. Liria nuk është dhuratë, është fitore e paguar shtrenjtë,” – theksoi ai.
Ndërsa nga Tirana, përmes një postimi në rrjetet sociale, deputetja socialiste Bora Muzhaqi përcolli mesazhin e saj të ndjerë:
“E keqardhur që sot, për shkak të angazhimeve në Parlament, nuk munda t’i bashkohem ceremonisë përkujtimore të 81-vjetorit të Çlirimit të Librazhdit. Si vajzë që vij nga një familje që ka luftuar për çlirimin e Librazhdit dhe Shqipërisë, kjo është një ditë për të kujtuar të shkuarën, për të nderuar dëshmorët dhe për të shprehur mirënjohje për veteranët dhe familjet e tyre. Respekt dhe falënderim për këdo që mban gjallë kujtesën e asaj sakrifice.”

Në fund të ceremonisë, nën tingujt e Himnit Kombëtar dhe përulësinë e kurorave me lule, qytetarët e Librazhdit rinovuan zotimin për të ruajtur të vërtetën e historisë dhe për të lartësuar kujtimin e dëshmorëve.
Kujtesa e kësaj dite mbetet një pishtar që ndriçon brez pas brezi, për të mos harruar kurrë kush jemi, nga vijmë dhe çfarë na bashkon: dashuria për Shqipërinë.

