Klodiana Çobo, gruaja që udhëton me fjalën dhe frymën e letërsisë

Nëse do të kërkoje një figurë ku arti, udhëtimi dhe ndjeshmëria njerëzore përzihen në mënyrë të natyrshme, ajo do të ishte Klodiana Çobo. E lindur në qytetin e Fierit dhe banore e Tiranës prej vitit 2000, Klodiana është një nga ato gra që e shndërrojnë jetën e përditshme në një udhëtim shpirtëror, ku çdo hap, çdo vend, çdo njeri bëhet frymëzim për vargje, tregime e mendime që lindin prej dritës së fjalës.

E diplomuar në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës, në degën e Gjuhës Frënge, me një master në Psikolinguistikë, ajo ka ndërtuar një lidhje të thellë me botën e fjalës, jo vetëm si mjet komunikimi, por si një univers ku ndjenjat gjejnë formën më të pastër për t’u shprehur. Për disa vite ka punuar si pedagoge e jashtme në të njëjtin fakultet, duke ndarë me studentët dashurinë për gjuhën dhe kulturën franceze.

Por letërsia është pasioni i saj i përhershëm. Ajo shkruan poezi dhe prozë pa kufi, ndërsa lexon me etje krijimet e mjeshtërve që e kanë frymëzuar, nga Dritëro Agolli te Tolstoi me “Ana Kareninën”, nga Bodleri te Esenini, e shumë të tjerë që e kanë ndihmuar të gjejë tingullin e vet në universin poetik.

Prej vitit 2012, Klodiana drejton edhe një agjenci udhëtimi, një profesion që, siç thotë vetë ajo, “i jep mundësinë të njohë botën për ta rikrijuar me penë”. Çdo vend që viziton mbetet si një ngjyrë e re në tablonë e saj krijuese, një ndjesi që më vonë shndërrohet në varg, në rrëfim apo reflektim poetik.

Këtë vit ajo ishte një nga pjesëmarrëset e suksesshme në Festivalin Kombëtar Letrar “Nën Dritën e Fjalës”, ku poezia e saj u vlerësua për thellësinë emocionale dhe fuqinë shprehëse.
Në çdo krijim të Klodianës ndien se fjala është një formë drite, një dritë që ndriçon, shëron dhe frymëzon.

Në fund të këtij portreti, ajo zgjedh të flasë me vargjet e saj për gruan, për dashurinë, për plagët e shpirtit dhe fuqinë për t’u ringjallur.

Poezia e saj “Grua” është një himn i ndjeshëm dhe i fuqishëm për femrën që jeton, lufton dhe dashuron pa kushte.

GRUA

Nga Klodiana Çobo

Rozë purpurte, e qetë,
Skuqur flakë përvëloj.
Godas, e guximshëm puth,
Urrej… e në kohë të tjera dashuroj.

Në vise të tjera përhumbur,
Në legjenda murosur lëngoj.
Stolisur me ar, a e zhveshur,
Urrej… e në kohë të tjera dashuroj.

Skllave apo Perëndeshë,
Merlin a Shenjtore… njësoj.
Përbuzur, adhuruar nga mishtrorët,
Urrej… e në kohë të tjera dashuroj.

Përkundur trupi i ëndrrave,
Aromash ndjellëse qëndroj.
Poema e romane pushtuar,
Urrej… e më fort dashuroj.

albaniaexpress.al

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME