Ministri Blendi Gonxhja: Po ndërtojmë një arkitekturë të fortë investimi për turizmin shqiptar

Pjesëmarrës në Samitin e Mikpritjes së Ardhshme në Dubai, ministri Blendi Gonxhja, u shpreh se është i nderuar që përfaqëson Shqipërinë në një moment transformimi të thellë për sektorin tonë të turizmit.

Pasi bëri një përshkrim të gjallë të bukurive tona natyrore, veçanëriasht përgjatë vijës bregdetare, ministri Gonxhja theksoi se, detyra jonë nuk është vetëm të ndërtojmë në këtë bregdet, por të formojmë përvoja që e nderojnë dhe ia përforcojnë identitetin.

“Përgjatë vijës sonë bregdetare prej 476 kilometrash, nga Adriatiku në Jon, Riviera nuk duket vetëm e bukur; ajo ka një ritëm, është si një melodi e gjallë – valë nën shkëmbinj, këmbana mbi portë, zëra në tregje dhe qetësia e manastireve mbi det. Këto nuk janë dekorime; ato janë identitet”, u shpreh ministri Gonxhja.

Kreu i MTKS u shpreh se tashmë transformimi është i qartë, sepse po kalojmë nga një sezon 3-mujor në një destinacion 12-mujor. Përveç korrikut e gushtit, po punohet për të krijuar vlera edhe në dhjetë muajt e tjerë dhe që ky ndryshim të jetë i qëndrueshëm,

Gonxhja tha se po ndërtohet një arkitekturë e fortë investimi.

Ai përmendi Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, që pritet të hapet në vitin 2026 dhe do ta konsolidojë më tej këtë transformim duke përmirësuar lidhjen gjatë gjithë vitit me bregdetin.

Kreu i MTKS-së përmendi TVSH-në prej 6% mbi akomodimin, që mbetet aktive, duke mbështetur investimet afatgjata në mikpritje. Gjithashtu ai renditi grupet e mëdha ndërkombëtare si “Hilton”, “Marriott”, “Meliá”, “Hyatt” të pranishme në vend.

Ministri Gonxhja shtoi se Riviera jonë po pozicionohet si pjesë e Korridorit Blu, por do të këmbëngulet për ekuilibër: mbrojtja e trashëgimisë me mikpritje moderne; interesat e komunitetit me interesat e investitorëve dhe qasja me ruajtjen.

“Një arsye përse duhet investuar tani në Shqipëri dhe jo më vonë është se, Shqipëria ofron diçka të rrallë në Mesdheun e sotëm, një destinacion tashmë të pajisur me instrumentet që u nevojiten investitorëve: rritje e fortë, stabilitet politik, një pozicion strategjik midis Ballkanit dhe Mesdheut, një TVSH prej 6% për akomodimin, stimuj të synuar për investime me 4 dhe 5 yje”, tha Gonxhja.

Duke kujtuar sezonin turistik 12-mujor, kreu i MTKS ftoi jo vetëm ata që dëshirojnë ta dëshmojnë atë kur të përfundojë, por edhe ata që duan ta formësojnë atë ndërsa është ende duke u shkruar.

“Riviera Shqiptare nuk është fundi i Evropës; është fillimi i një tingulli të ri mesdhetar”, përfundoi Gonxhja.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME