Në Londër, në kuadër të Procesit të Berlinit, u zhvillua takimi i ministrave të Ekonomisë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, i fokusuar në rritjen ekonomike, integrimin rajonal, tranzicionin e gjelbër dhe fuqizimin ekonomik të grave.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se takimi shënoi një tjetër hap të rëndësishëm në rrugën e bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit dhe afrimit të tyre drejt standardeve evropiane.
Ministrat nënvizuan rëndësinë e bashkëpunimit në infrastrukturë, transport dhe energji, si fusha kyçe për tërheqjen e investimeve dhe rritjen e konkurrueshmërisë ekonomike të rajonit.
Një pjesë e veçantë e takimit iu kushtua tranzicionit të gjelbër dhe masave që duhen ndërmarrë për t’u përballur me sfidat e ndryshimeve klimatike.
Fuqizimi ekonomik i grave u trajtua jo vetëm si një çështje sociale, por edhe si një motor zhvillimi.
Procesi i Berlinit është një nismë ndërqeveritare evropiane e nisur në vitin 2014 me qëllim forcimin e bashkëpunimit rajonal midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përshpejtimin e integrimit të tyre në Bashkimi Evropian. Procesi u iniciua nga kancelarja gjermane Angela Merkel, duke vendosur si objektiv ndërtimin e lidhjeve më të ngushta politike, ekonomike dhe infrastrukturore mes vendeve të rajonit dhe BE-së.
Pjesëmarrës në këtë proces janë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, si dhe shtete anëtare të BE-së dhe institucione të rëndësishme evropiane.