TIRANË, 15 shtator 2026 /Albania Express News/- Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se rritja ekonomike e vendit po shoqërohet me rritje të mbështetjes financiare për qytetarët, duke iu referuar të dhënave të buxhetit të shtetit për shtatëmujorin e parë të vitit.
Në një reagim të tij, Malaj u është përgjigjur diskutimeve nëse rritja ekonomike përkthehet realisht në më shumë mbështetje për qytetarët.
“Kam lexuar shumë komente nga qytetarët të cilët pyesin: një rritje ekonomike, a përkthehet kjo në më shumë mbështetje për qytetarët?”, u shpreh ministri.
Sipas të dhënave të paraqitura prej tij, gjatë shtatë muajve të parë të vitit janë shpenzuar 841 milionë lekë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë për ndihmën ekonomike, personat me aftësi të kufizuara dhe kujdestarët e tyre.
Rritja e mbështetjes financiare është shtrirë edhe në kategori të tjera. Malaj bëri të ditur se janë dhënë 576 milionë lekë më shumë për ish-të përndjekurit politikë, ndërsa 300 milionë lekë më shumë janë akorduar për bonusin e lindjeve.
“Pra, në çdo drejtim, më shumë mbështetje. Pas çdo shifre ka njerëz, ka familje, ka fëmijë dhe ky është qëllimi ynë: të mbledhim më shumë të ardhura”, deklaroi Malaj.
Ministri theksoi se objektivi i politikave financiare nuk është vetëm rritja e treguesve ekonomikë, por që efektet e kësaj rritjeje të reflektohen edhe në jetën e përditshme.
Sipas tij, rritja ekonomike duhet të shoqërohet me më shumë mbështetje për familjet në vështirësi, personat me aftësi të kufizuara dhe kategoritë më në nevojë, duke e lidhur performancën e ekonomisë me politikat sociale dhe mirëqenien e qytetarëve.

