5 Maji/ Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ,Skënder Hita: “Dëshmorët janë busulla jonë morale, sakrifica e tyre nuk do të harrohet kurrë”

TIRANË,5 maj 2026/Albania Express News/Në një ceremoni solemne të zhvilluar me rastin e 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve të Policisë së Shtetit dhe të Atdheut, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, mbajti një fjalë të thellë dhe reflektuese, duke nderuar sakrificën e efektivëve që kanë rënë në krye të detyrës.

Të pranishëm në këtë aktivitet përkujtimor ishin familjarë të dëshmorëve, përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore, drejtues të Policisë së Shtetit, partnerë dhe të ftuar të shumtë, të cilët u bashkuan për të kujtuar dhe nderuar jetët e humbura në shërbim të sigurisë publike dhe të vendit.

Në fjalën e tij, Hita theksoi se kjo ditë nuk është thjesht një përkujtim formal, por një moment reflektimi i thellë mbi çmimin njerëzor të sigurisë. Ai u shpreh se dëshmorët nuk janë vetëm emra të gdhendur në memoriale, por pjesë e ndërgjegjes kombëtare, simbol i sakrificës dhe përkushtimit maksimal ndaj detyrës dhe qytetarëve.

“Sot nuk jemi mbledhur thjesht për të kujtuar një datë, por për t’u përkulur para një mungese që flet më fort se prania jonë. Para një amaneti që na obligon të mos harrojmë kurrë se siguria ka një çmim njerëzor”, u shpreh ai.

Drejtori i Policisë ndaloi veçanërisht tek familjarët e dëshmorëve, duke i cilësuar ata si pjesa më e heshtur, por njëkohësisht më e madhe e sakrificës. Ai garantoi se institucionet shtetërore u detyrohen jo vetëm respekt dhe mirënjohje, por edhe përkujdesje të vazhdueshme dhe dinjitet.

Në një reflektim emocional, Hita solli në vëmendje dimensionin njerëzor të dëshmorëve, duke theksuar se ata ishin prindër, bashkëshortë e fëmijë që lanë pas familjet e tyre për t’i shërbyer ligjit dhe vendit. Ai nënvizoi se ata nuk zgjodhën veten në momentet më të vështira, por detyrën, qytetarin dhe Shqipërinë.

Duke iu drejtuar punonjësve të Policisë së Shtetit, ai e cilësoi këtë ditë si një pasqyrë dhe një thirrje për përgjegjësi, duke theksuar se uniforma nuk është thjesht simbol autoriteti, por një angazhim moral dhe njerëzor ndaj shoqërisë.

“Policia nuk është vetëm forca që lufton krimin, por edhe dora që ndihmon, fjala që qetëson dhe prania që rikthen besimin. Uniforma nderohet jo nga grada, por nga karakteri dhe morali i atij që e mban”, theksoi ai.

Në përfundim, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit bëri thirrje që kujtimi i dëshmorëve të mos mbetet vetëm në kuadrin ceremonial, por të shërbejë si një udhërrëfyes për të ardhmen, duke theksuar se një shtet që nderon dëshmorët e tij ndërton një shoqëri më të drejtë dhe më të sigurt.

Ai rikujtoi se 231 punonjës të Policisë së Shtetit kanë rënë në krye të detyrës ndër vite, duke e kthyer 5 Majin në një ditë krenarie të thellë, të ndërthurur me dhimbje.

Ceremonia u mbyll me homazhe dhe vendosje kurorash në nder të dëshmorëve, ndërsa mesazhi kryesor që përcolli kjo ditë mbetet i qartë: sakrifica e tyre është një amanet që nuk shuhet dhe një përgjegjësi që duhet mbajtur gjallë çdo ditë.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Të shtëna me armë zjarri në një xhami në Kaliforni, dy viktima dhe disa të plagosur

USA,19 maj 2026/Albania Express News/Të paktën dy persona u...

Italianët kryesojnë vizitat turistike, rritje me 20,8% e akomodimeve

TIRANË, 18 maj 2026/Albania Express News/Turizmi në Shqipëri vijoi...

Ndërprerje e furnizimit me ujë në gjithë qytetin e Elbasanit, ja kur do të kryhen punimet…

ELBASAN,18 maj 2026/Albania Express News/Bashkia Elbasan dhe Shoqëria Rajonale...

“UÇK, UÇK, UÇK”! Protesta në RMV për gjuhën shqipe, thirrje për dorëheqjen e kryeministrit. Tre studentë të arrestuar

SHKUP,18 maj 2026/Albania Express News/Mijëra student shqiptarë janë mbledhur...