Ekspozita “Besa” çeli sot dyert në “Bunk’Art 2”, si një rrëfim mbi të shkuarën e errët të njerëzimit dhe popullit hebre dhe një krenari për Shqipërinë që nuk mohuan vlerat dhe traditën e nuk u dorëzuan përpara diktaturës apo totalitarizmit.

I pranishëm në çeljen e kësaj ekspozite, kryeministri Edi Rama kujtoi dhe njëherë heroizmat e familjeve të shumta shqiptare, të cilët në kohën më të errët të njerëzimit, u bënë heronjtë më të mëdhenj të atyre që nazizmi kërkonte t’i zhdukte.

Ndërsa solli në vëmendje shkrime të historianes dhe filozofes Hannah Arendt dhe të shkuarës së gdhendur në “biografinë” e Shqipërisë, Rama nderoi çdo familje shqiptare që nuk iu dorëzua frikës dhe imponimit dhe mbi të gjitha nuk turpëroi Shqipërinë në kohën kur e gjithë Evropa hoqi dorë nga gjykimi duke i hapur rrugë burokracisë.

“Kjo ekspozitë është jo vetëm një shfaqe e ndritshme e historisë shqiptare, por mban një mesazh për botën e sotme, që i duhet kujtuar sërish ajo çka na mësoi me një qartësi të pamëshirshme. ‘E keqa shpesh nuk është djallëzore apo e bujshme, por e zakonshme, administrative dhe e përulur. Është thjeshtë banale’”, tha Rama.

Ndërsa solli në vëmendje ngjarjet e Luftës II Botërore, Rama theksoi se populli ynë ishte i varfër, nuk ishte pushtet apo rëndësi strategjike por kishte diçka të paçmuar, aftësinë për të parë në fytyrën e njeriut tjetër detyrimin e vet moral.

“Kur nazistët, kërkuan listat e hebrenjve, shqiptarët i shkatërruan. Kur të tjerët dorëzuan fqinjët, shqiptarë u ofruan siguri. Kur binda u bë aleat i heshtur, Shqipëria zgjodhi rrugën e rrezikshme të përgjegjësisë”, tha Rama.

Sipas tij, “Shqipëria refuzoi mjegullën morale dhe doli nga Lufta II Botërore si i vetmi vend në Evropë që pati më shumë hebrenj pas luftës sesa para luftës”.

“Askush nga hebrenjtë nuk iu dorëzua nazistëve. Përgjegjësia nuk u asgjësua, u forcua. Familjet morën përsipër të mbronin jetë, që historia nuk ua kishte besuar, për ndërgjegjja ua imponoi”, u shpreh ai.

Rama theksoi se gjatë holokaustit familjet e zakonshme shqiptare morën vendime të jashtëzakonshme përballë terrorit.

“Ata zgjodhën të ishin ata pak njerëz që nuk binden dhe duke vepruar kështu, e ruajtën në një cep të Evropës, humanizmin, njerëzillëkun kur njerëzimi vetë dukej sikur po zhdukej. Teksa ecim në këtë ekspozitë do të ndeshin fytyra, familje hebreje që erdhën në anët tona në dëshpërim dhe familjet shqiptare që i pritën si mysafirë. Duke zbatuar atë që është shkruar në këtë derë, shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut, jo si barrë por si vëllezër”, shtoi Rama.

Historia e tyre, sipas Kryeministrit, “nuk është një stoli që e shfaqim për të impresionuar botën, por një busull që duhet ta ndjekim”.

“Ndarja e bukës, një gotë qumësht, fshehja e një fëmijë hebre apo e një familje të tërë kur ushtarët nazistë kalonin qoftë dhe tek pragu i derës. Këto veprime të thjeshta nuk ishin politikë, strategji, ishin gjykim moral i njerëzve të zakonshëm, ajo që totalitarizmi përpiqej ta zhdukte”, shtoi ai.

Si kryeministër, Rama tha se qëndron sot i përulur përpara guximit të atyre familjeve dhe guximit të tyre.

“Qoftë Shqipëria gjithmonë një nga këto vende, që edhe nën frikë zgjodhëm të mos i bindemi padrejtësisë por të qëndrojmë me humanizmin. Memoria e atyre që i shpëtuan dhe i shpëtuam të jetë një bekim për të gjithë dhe Zoti i bekoftë të gjithë ata që shpëtuan hebrenjtë dhe që shpëtuan Shqipërinë nga turpi dhe refuzuan të bëheshin pjesë e errësirës”, tha Kryeministri.

Kjo ekspozitë ka mbledhur fotografi e tregime të fotografit Norman Gershman dhe që janë kuruar nga gazetari Carlo Bollino.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Burra që nuk e humbën kurrë orientimin qytetar

Nga Bujar Qesja DURRËS,26 maj 2026/Albania Express News/Ka fotografi që...

Sarandë/ 12 masa sigurie për zyrtarë, policë e biznesmenë, nën hetim edhe kryeinspektori i IMT-së

SARANDË,26 maj 2026/Albania Express News/Prokuroria e Sarandës ka lëshuar...

Zgjedhjet që rrëzuan shtetin

Nga Thoma Gëllçi TIRANË,26 maj 2026/Albania Express News/Shumë njerëz e...