NGA AGRON KAJA
TIRANË ,2 korrik 2026/Albania Express News/-Komuniteti i gazetarëve sportivë në mbarë botën, më 2 korrik, përkujton Ditën Botërore të Gazetarisë Sportive. Kjo datë shënon një moment të rëndësishëm historik për një profesion që ka ndërtuar ura mes sportit dhe publikut, duke sjellë emocionet, garën dhe dramën e fushave sportive në çdo shtëpi, ekran dhe faqe gazete.
Edhe gazetaria sportive shqiptare është pjesë e kësaj historie të madhe ndërkombëtare, një histori që brez pas brezi është mbajtur e gjallë si një pishtar i ndezur. Në çdo event sportiv, në çdo stadium apo palestër, në çdo moment suksesi apo dështimi, gazetarët sportivë kanë qenë aty për të dokumentuar, analizuar dhe përcjellë te publiku realitetin e sportit.
Me më shumë se katër dekada përvojë në këtë fushë, si dhe si krijues e organizator i Çmimit “Ismet Bellova” në gazetarinë sportive shqiptare, ndjej detyrimin profesional dhe moral për ta përkujtuar këtë ditë të veçantë, edhe pse mungojnë shpesh nismat dhe aktivitetet institucionale që do ta meritonin.
Dita Botërore e Gazetarëve Sportivë lidhet me krijimin e Shoqatës Ndërkombëtare të Shtypit Sportiv (AIPS), e themeluar gjatë Lojërave Olimpike të Parisit në vitin 1924. Prej atëherë, kjo organizatë ka qenë një pikë referimi për forcimin e bashkëpunimit, solidaritetit dhe respektit mes gazetarëve sportivë në të gjithë globin.
Gjatë më shumë se një shekulli, gazetaria sportive ka ecur paralel me zhvillimin e sportit botëror, duke u bërë një nga shtyllat kryesore të komunikimit publik dhe të kulturës sportive. Sot ajo mbetet një profesion që kërkon përkushtim, korrektësi, pasion dhe integritet, duke ndikuar jo vetëm në sport, por edhe në formimin e opinionit publik dhe promovimin e vlerave shoqërore.
Gazetaria sportive është një pjesë e pandarë e çdo media grupi dhe kjo ditë synon të nxisë profesionalizmin, paanshmërinë dhe përkushtimin ndaj së vërtetës sportive, si dhe të përdorë sportin si një mjet paqeje dhe bashkimi mes njerëzve.
Edhe në Shqipëri, kjo fushë ka kaluar nëpër etapa të ndryshme zhvillimi, që nga periudha para vitit 1944, gjatë një kohe të vështirë historike, e deri në transformimet e mëdha pas viteve ’90, kur media sportive u zgjerua ndjeshëm me shtypin e shkruar, televizionin dhe më pas mediat online e sociale. Sot ajo është më e shpejtë, më e gjerë dhe më pranë publikut se kurrë më parë.
Megjithatë, mbetet ende e rëndësishme që edhe strukturat përfaqësuese të kësaj fushe, përfshirë degën shqiptare të AIPS-it, të jenë më aktive dhe më funksionale në jetën profesionale të gazetarëve sportivë.
Kjo datë le të shërbejë jo vetëm si kujtesë historike, por edhe si një moment reflektimi dhe respekti për të gjithë ata që e kanë ndërtuar dhe e mbajnë gjallë gazetarinë sportive në Shqipëri dhe në botë.

