TIRANË , 2 nëntor 2026 / Albania Express News /-Drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli, raportoi sot në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Parlamentare mbi punën e institucionit për vitin 2025 dhe periudhën janar-shtator 2026, duke evidentuar përshpejtimin e proceseve të legalizimit, regjistrimit fillestar dhe transformimit digjital të Kadastrës.
Gjatë raportimit, Goxhobelli bëri të ditur se një nga rezultatet më të rëndësishme është përfundimi i digjitalizimit të 4,3 milionë kartelave të pasurive, ndërsa është skanuar edhe i gjithë dokumentacioni tekniko-ligjor i pronës, rreth 54 milionë fletë. Aktualisht, puna është përqendruar në digjitalizimin e mbi 39 mijë planshetave kadastrale, proces që synohet të përfundojë deri në fund të vitit 2026, duke i hapur rrugë krijimit të një Kadastre tërësisht digjitale.
Një tjetër objektiv i rëndësishëm i arritur është mbulimi i 95,6% të territorit të vendit me regjistrim fillestar. Sipas Goxhobellit, vetëm gjatë dy viteve të fundit janë përfunduar 163 zona kadastrale, kundrejt 64 zonave të regjistruara gjatë periudhës 2016-2024. Synimi është që regjistrimi fillestar të përfundojë plotësisht brenda vitit 2027, një vit përpara objektivit kombëtar.
Sa i përket legalizimeve, viti 2025 u cilësua si viti me performancën më të mirë që nga krijimi i ASHK-së, me 26 101 vendime përfundimtare. Ritmi është ruajtur edhe gjatë vitit 2026, ku në nëntë muajt e parë janë trajtuar 28 004 kërkesa, më shumë se totali i vitit të kaluar.
Deri në fund të vitit synohet trajtimi i mbi 35 mijë ndërtimeve informale.
Vëmendje e veçantë në raportim iu kushtua edhe procesit të pajisjes me dokumentacion pronësie të banesave të vjetra, të ndërtuara para vitit 1991. Për këtë qëllim, ASHK ka nisur zbatimin e qasjes së re të punës “Derë më derë”, përmes së cilës ekipet e institucionit verifikojnë banesat në terren, veçanërisht në zonat rurale. Aktualisht puna zhvillohet në 44 zona, ndërsa që nga shtatori janë evidentuar rreth 1500 banesa dhe janë emetuar 298 vendime përfundimtare në më pak se dy muaj.
Në procesin e regjistrimit të tokës bujqësore, Goxhobelli bëri të ditur se gjatë vitit 2025 janë regjistruar 26,769 pasuri bujqësore, me një sipërfaqe prej 8715 hektarësh. Ndërkohë, për kalimin e tokës nga përdorimi në pronësi, objektivi për vitin 2026 është pajisja e përdoruesve me 1000 tituj pronësie.
Në raportim u evidentua gjithashtu përmirësimi i shërbimeve ndaj qytetarëve. Gjatë vitit 2025, ASHK ofroi 2,5 milionë shërbime, 35% më shumë se një vit më parë, ndërsa u lëshuan 260 mijë certifikata pronësie. Aktualisht institucioni përpunon mesatarisht 10 750 shërbime në ditë dhe ofron 10 shërbime të automatizuara, pa ndërhyrjen njerëzore.
Një tjetër lehtësi për qytetarët është dërgimi direkt në “e-Albania” i vendimeve të legalizimit dhe atyre për shtëpitë e vjetra, si dhe mundësia për të marrë online faturën e parcelës ndërtimore, pa qenë nevoja për paraqitje fizike pranë zyrave të Kadastrës.
Goxhobelli theksoi se ASHK ka përmbushur brenda afateve të gjitha masat e përcaktuara në kuadër të angazhimeve të integrimit europian, ndërsa prioritetet e ardhshme mbeten përfundimi i regjistrimit fillestar, digjitalizimi i hartave kadastrale dhe rritja e cilësisë e transparencës së shërbimeve.
Në përfundim, Drejtoresha e Përgjithshme e Kadastrës nënvizoi se, pavarësisht progresit të arritur, mbetet ende punë për t’u bërë, veçanërisht në reduktimin e vonesave dhe garantimin e të njëjtit standard shërbimi në të gjitha drejtoritë kadastrale të vendit.

