Zjarri mbi Dukat merr përmasa të mëdha, flakët përhapen drejt Malit të Çikës – ndërhyrje nga ajri me dy “Air Tractor”

TIRANË , 21 gusht 2026/Albania Express News/-Një zjarr i përmasave të mëdha vijon të përfshijë zonën malore mbi fshatin Dukat, në jug të vendit, ndërsa gjatë orëve të natës flakët janë përhapur në një sipërfaqe të konsiderueshme në drejtim të Malit të Çikës. Dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar qëllimisht, ndërsa autoritetet vijojnë verifikimet për përcaktimin e shkaqeve.

Zjarri është evidentuar rreth orës 19:00 të mbrëmjes së djeshme, fillimisht në katër vatra të ndryshme. Gjatë natës, flakët janë përhapur në terrenin malor, duke marrë përmasa më të mëdha dhe duke avancuar drejt zonave të larta të Malit të Çikës.

Forcat zjarrfikëse kanë mbërritur në terren rreth orës 04:00 të mëngjesit, duke nisur menjëherë operacionin për izolimin dhe shuarjen e vatrave. Në aksion janë angazhuar edhe rreth 40 efektivë të Forcave të Armatosura, nën drejtimin dhe koordinimin e strukturave të Emergjencave Civile.

Ndërhyrja në terren paraqet vështirësi të konsiderueshme për shkak të relievit të thyer dhe terrenit malor, i cili e bën të vështirë lëvizjen e mjeteve dhe afrimin e ekipeve pranë vatrave aktive. Për këtë arsye, operacioni pritet të vijojë për disa orë, me forcat në terren të angazhuara për krijimin e një perimetri sigurie dhe ndalimin e avancimit të flakëve.

Nga distanca, përmasat e zjarrit janë të dukshme, ndërsa vatrat vijojnë të jenë aktive në disa zona. Ekipet që po punojnë në terren duhet të jenë të pajisura me ujë dhe ushqime, duke marrë parasysh qëndrimin e gjatë në zonën e përfshirë nga zjarri dhe vështirësitë e terrenit.

Për momentin, era nuk është e fortë dhe kushtet atmosferike nuk po favorizojnë një përhapje të shpejtë të flakëve. Megjithatë, autoritetet mbeten në gatishmëri, pasi një forcim i erës mund të ndryshojë situatën dhe të rrisë rrezikun e përparimit të zjarrit në drejtim të Parkut Kombëtar të Llogarasë.

Për të frenuar situatën, krahas ndërhyrjes nga toka, ka nisur edhe operacioni nga ajri. Në zonën e zjarrit kanë mbërritur dy avionët “Air Tractor”, të cilët po kryejnë ndërhyrje ajrore me qëllim izolimin e vatrave dhe vendosjen e flakëve nën kontroll.

Forcat zjarrfikëse, efektivët e Forcave të Armatosura dhe strukturat e Emergjencave Civile vijojnë punën në terren, ndërsa ndërhyrja nga ajri pritet të luajë një rol të rëndësishëm në frenimin e përhapjes së zjarrit në zonën malore.

Prioriteti i operacionit mbetet izolimi i plotë i vatrave aktive, parandalimi i përhapjes së flakëve drejt zonave të tjera pyjore dhe, mbi të gjitha, shmangia e afrimit të zjarrit me Parkun Kombëtar të Llogarasë.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME