Zgjerohen kompetencat e Ministrisë së Brendshme, merr përgjegjësi për qeverisjen vendore

TIRANË ,25 shtator 2026 /Albania Express News/-Këshilli i Ministrave miratoi sot disa shtesa në vendimin “Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Punëve të Brendshme”.

Me ndryshimet e fundit ndër kompetencat e kësaj ministrie shtohet edhe “bashkërendimi i punës për hartimin e politikave dhe përgatitjen e akteve ligjore e nënligjore, të lidhura me veprimtarinë e njësive të vetëqeverisjes vendore”.

Kështu Ministria e Punëve të Brendshme so të ndjekë hartimin dhe realizimin e zbatimit të politikës së përgjithshme shtetërore në fushën e decentralizimit e të vetëqeverisjes vendore.

Po ashtu do të bashkërendojë punën për propozimin, përmirësimin dhe hartimin e projektakteve ligjore e nënligjore në fushën e decentralizimit e të vetëqeverisjes vendore, si dhe do të japë mendim për projektaktet që kanë të bëjnë me çështje të lidhura me njësitë e vetëqeverisjes vendore.

Një tjetër kompetencë e kësaj ministrie është mbikëqyrja e punës për monitorimin e zbatimit të Strategjisë Ndërsektoriale për Decentralizimin dhe Vetëqeverisjen Vendore, si dhe planit të veprimit përkatës.

Po ashtu, MPB përfaqëson politikat e qeverisë në fushën e vetëqeverisjes vendore dhe koordinon punën me organizmat dhe partnerët ndërkombëtarë, që mbështesin zhvillimin e njësive të vetëqeverisjes vendore.

“Drejton dhe bashkërendon punën ndërmjet strukturave të ngritura në kuadrin e marrëdhënieve ndërinstitucionale me njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe shoqatat e të zgjedhurve vendorë; Kujdeset për përmbushjen e detyrimeve, si dhe monitoron e koordinon masat, që rrjedhin në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe të marrëveshjeve ndërkombëtare, për sa ato kanë të bëjnë me vetëqeverisjen vendore”, thuhet në vendim.

MPB siguron po ashtu edhe krijimin dhe administrimin e një sistemi kombëtar unik, me synim monitorimin dhe zbatimin e funksioneve të deleguara të vetëqeverisjes vendore.

Bashkërendimi dhe mbështetja e punës së organeve përgjegjëse në funksion të zbatimit të politikave shtetërore në fushën e zhvillimit rajonal dhe kohezionit, në përputhje me legjislacionin përkatës është po ashtu në fokus të punës së kësaj ministrie.

MPB kryen edhe funksione e veprimtari të tjera brenda fushës së përgjegjësisë, që i ngarkohen në përputhje me ligjin, marrëveshjet ndërkombëtare, vendimet e Këshillit të Ministrave dhe urdhrat e Kryeministrit, apo që nuk i janë ngarkuar specifikisht një organi apo institucioni tjetër shtetëror, por kanë të bëjnë me vetëqeverisjen vendore”.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME