Në Ditën e Pavarësisë së Ukrainës, Presidenti Volodymyr Zelenski ka dekoruar 14 kryeparlamentarë, deputetë, senatorë dhe kongresmenë nga SHBA dhe vende europiane, për mbështetjen ndaj Ukrainës dhe bashkëpunimin me Parlamentin e këtij vendi.
Mes tyre ishte edhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, e cila u nderua me Çmimin e Lartë Shtetëror “Urdhri i Princeshës Ollga, i Klasit të Parë”.
“Faleminderit secilit prej jush, miqtë tanë të dashur, anëtarë të familjes së madhe parlamentare, për çmimet e merituara që u janë dhënë nga Presidenti Zelenski, në emër të popullit ukrainas”, u shpreh kryetari i Parlamentit të Ukrainës, Ruslan Stefanchuk.
Dekorata “Urdhri i Princeshës Ollga, i Klasit të Parë” është nderimi më i lartë që u jepet grave për merita të veçanta në mbështetje të shtetit dhe shoqërisë ukrainase. Sipas njoftimit të Kuvendit, ky vlerësim për Spiropalin është një shenjë mirënjohjeje për qëndrimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj lirisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, si edhe për mbështetjen e vazhdueshme në veprimtaritë parlamentare ndërkombëtare dhe bashkëpunimin e ngushtë mes Kuvendit dhe Parlamentit të Ukrainës, Verkhovna Rada.