Vrasja e turistit 20-vjeçar në Sarandë, Policia: Arrestohen 11 shtetas dhe shpallen në kërkim dy të tjerë

SARANDË ,18 gusht 2026/Albania Express News/-Policia e Shtetit informoi sot se u arrestuan 11 shtetas dhe u shpallën në kërkim dy të tjerë për vrasjen e 20-vjeçarit portugez në Ksamil (Sarandë).

Sipas njoftimit për shtyp të Policisë, si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë, si dhe koordinimit të punës mes Komisariatit të Policisë Sarandë, Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, paraditen e sotme, në Levan, Fier, u kap në bagazhin e një automjeti autori i dyshuar i vrasjes, shtetasi S. L., alias S. V., 29 vjeç.

Ky shtetas udhëtonte në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga shtetasja E. P., 31 vjeçe, dhe pasagjer shtetasi N. M., 38 vjeç, të dy me shtetësi turke, të cilët kishin njohje me autorin dhe e kishin fshehur në makinë, me qëllim që ta transportonin drejt Tiranës.

Po në kuadër të veprimeve për dokumentimin e plotë ligjor të vrasjes së 20-vjeçarit, në Komisariatin e Policisë Sarandë u shoqëruan 41 shtetas.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u arrestuan në flagrancë shtetasit:

L., alias S. V., 29 vjeç, banues në fshatin Helshan, Has; N. M., 38 vjeç, dhe E. P., 31 vjeçe, të dy me shtetësi turke; S. S., 24 vjeç, banues në Ersekë; E. B., 24 vjeç, banues në Peshkopi; I. C., 21 vjeç, banues në Librazhd; M. Zh., 27 vjeç, banues në Elbasan;
M., 24 vjeç, banues në Gjirokastër; L. S., 44 vjeç, banues në Gjirokastër; R. Sh., 35 vjeç, banues në Gjirokastër; K. K., 29 vjeç, banues në Gjirokastër.
Gjithashtu Policia ka shpallur në kërkim shtetasit D. H., 29 vjeç, banues në Tiranë, dhe B. B., 36 vjeç, banues në Tiranë.

Policia sqaron e nga veprimet hetimore rezulton se në orën 05:15, të datës 18.08.2026, në ambientet e lokalit “Principote” dhe më pas në plazhin e lokalit “Paradise”, në Ksamil, gjatë një konflikti midis disa personave, shtetasi S. L., alias S. V., dyshohet se ka goditur me mjet prerës (thikë) disa herë në trup shtetasin e huaj portugez L. V., 20 vjeç.

Po në të njëjtën kohë, edhe shtetasi D. H., tashmë i shpallur në kërkim, e ka goditur me grushte 20-vjeçarin. Të dy këta shtetas akuzohen për vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim.

Ndërsa shtetasit S. S., E. B., M. Zh. dhe I. C., të cilët janë kamarierë në lokalin “Principote”, janë përfshirë në konfliktin e mësipërm, duke goditur me grushte 20-vjeçarin, para se ta godiste me mjet prerës shtetasi S. V., dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Në momentin e kësaj ngjarjeje, në lokalin “Principote” kanë qenë në rolin e bodyguard-ëve shtetasit M. M. (punonjës policie D. R. K. M. Gjirokastër), L. S. (punonjës i I. E. V. P. Fier), R. Sh. (punonjës i Policisë Bashkiake Gjirokastër) dhe K. K., të cilët kanë pasur rolin e sigurisë dhe nuk kanë ndërhyrë për parandalimin e kësaj ngjarjeje, që fillimisht ka nisur në ambientet e lokalit “Principote”, si dhe, pas ngjarjes, nuk kanë njoftuar autoritetet e Policisë së Shtetit.

Gjithashtu, në momentin e ndodhjes së kësaj ngjarjeje, në ambientet e lokalit “Principote” ka qenë edhe pronari i tij, shtetasi B. B., i cili, pas ngjarjes, është larguar duke mos kallëzuar në autoritetet përkatëse.

Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë për shtetasit S. V. dhe D. H., për veprën penale “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim; për shtetasit N. M. dhe E. P., për veprën penale “Përkrahje e autorit të krimit”; për shtetasit S. S., E. B., M. Zh., I. C., L. S., K. K., B. B. dhe R. Sh., për veprën penale “Moskallëzim i krimit”; si dhe për shtetasin M. M., për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshmërisë”.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

E rëndë në Lushnje, djali me probleme mendore dyshohet se vrau nënën dhe plagosi rëndë babanë me sqepar

LUSHNJE, 24 gusht 2026 /Albania Express News/-  Një ngjarje...

Shkodra vlerësohet me “Green Destinations Bronze Award”

SHKODËR , 24 gusht 2026/Albania Express News/-Shkodra është vlerësuar...