Tiranë, 22 shtator 2026 /Albania Express News/ – Ish-drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, i është dorëzuar autoriteteve shqiptare në pikën kufitare të Morinës, pasi ndodhej në territorin e Kosovës.
Sipas informacioneve të raportuara nga mediat shqiptare, Hyseni është dorëzuar në pikën kufitare në Vërmicë–Morinë, duke iu vënë në dispozicion autoriteteve shqiptare në kuadër të procedurës së ekzekutimit të masës së sigurisë të vendosur ndaj saj.
SPAK ka nisur hetime ndaj Hysenit për dyshimet për veprat penale “përkrahje të autorit të krimit” dhe “nxjerrje të sekretit hetimor”. Në kuadër të së njëjtës dosje, Gjykata e Posaçme ka vendosur masë sigurie ndaj saj, si dhe pezullimin nga ushtrimi i detyrës.
Masa nuk ishte ekzekutuar më herët, pasi Hyseni ndodhej jashtë Shqipërisë, në Baku të Azerbajxhanit, ku merrte pjesë në një konferencë me drejtues të shërbimeve informative nga vende të ndryshme.
Hetimi i SPAK është shtrirë edhe ndaj personave të tjerë. Në kuadër të operacionit janë kryer kontrolle në banesa dhe ambiente pune, ndërsa është kontrolluar edhe ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i cili është shoqëruar në SPAK dhe është marrë në pyetje për disa orë.
Në të njëjtën dosje janë vendosur masa sigurie edhe ndaj personave të tjerë, mes tyre Fatjon Kalluçi, me detyrë “Përgjegjës Sektori” në Institutin e Policisë Shkencore, i dyshuar për zbulim të akteve ose të dhënave sekrete, si dhe Embro Sulejmani, pronar biznesi në Durrës, i dyshuar për përkrahje të autorit të krimit.
Dorëzimi i Vlorës Hyseni në Morinë pritet t’u hapë rrugë procedurave të mëtejshme për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme.
Të gjithë personat ndaj të cilëve janë vendosur masa sigurie konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.

