Verdheblutë përballë javëve vendimtare, Llupa zbret në fushë për motivim

Elbasani ka hyrë në fazën më të rëndësishme të sezonit, aty ku do të përcaktohen objektivat madhorë si në Kupë, ashtu edhe në kampionat. Verdheblutë ndodhen përballë një periudhe vendimtare, ku çdo ndeshje ka peshë finaleje dhe çdo detaj mund të bëjë diferencën. Nesër skuadra luan ndeshjen e kthimit në Kupë ndaj Partizanit, një sfidë që do të zhvillohet në transfertë. Elbasanit i duhet të përmbysë disavantazhin e një goli nga takimi i parë për të siguruar një biletë në gjysmëfinale. Misioni është i vështirë, por në kampin verdheblu besojnë se gjithçka është e hapur dhe se skuadra ka cilësitë e duhura për ta kthyer rezultatin. Nga ana tjetër, paralelisht nis edhe turi i forcës në kampionat. Elbasani është i përfshirë plotësisht në garën për titull, por situata në renditje kërkon kujdes maksimal. Nga njëra anë duhet të mos lejojë Vllazninë të shkëputet në krye, ndërsa nga ana tjetër duhet të ruhet nga rivalët poshtë në tabelë për të mos vënë në rrezik vendin e katërt. Në një moment të tillë delikat, për të motivuar skuadrën dhe për të dhënë një sinjal të qartë mbështetjeje, ka zbritur vetë në fushë presidenti Kujtim Llupa. Ditën e djeshme ai ka zhvilluar një mbledhje me ekipin, ku ka folur hapur për atë që e pret skuadrën deri në fund të kampionatit. Pas diskutimit me lojtarët dhe stafin teknik, presidenti është ndalur për të ndjekur nga afër edhe seancën stërvitore në prag të sfidës me Partizanin.

MBLEDHJA – Elbasani u ndal në një barazim ndaj Bylisit fundjavën që lamë pas, një rezultat që nuk u prit me entuziazëm, duke ditur objektivat që ka skuadra këtë sezon. Megjithatë, fokusi i mbledhjes ishte i përqendruar tek vazhdimësia dhe tek momenti kyç ku ndodhet ekipi. “Panorama Sport” zbardh një pjesë të bisedës së presidentit me lojtarët dhe stafin: “Deri tani keni bërë një kampionat të mirë, pasi ekipi është brenda objektivave. Në një garë të gjatë ka edhe ulje – ngritje dhe të gjithë jemi koshientë për këtë gjë. Mirëpo, tani vjen pjesa më e rëndësishme e kampionatit dhe duhet të tregoni më të mirën tuaj. Kupa është objektiv, duhet të bëjmë të pamundurën për të kaluar më tej. E di që potenciali nuk mungon, ndaj shpresoj dhe besoj nga të gjithë ju që ta përmbysim rezultatin e ndeshjes së parë dhe të jemi ne ata që do kalojmë më tej”, u shpreh fillimisht Llupa. Më tej, presidenti ndaloi edhe te gara në kampionat, duke kërkuar përqendrim maksimal në çdo ndeshje të mbetur: “Nuk dua t’ju vë nën presion, sepse ju jeni të gjithë profesionistë dhe e dini rëndësinë e këtyre ndeshjeve që kanë mbetur. Çdo ndeshje duhet trajtuar si finale, sepse ky kampionat është shumë i fortë. Unë kam besim tek ju dhe ajo që do të jepni në fushë”, theksoi Llupa. Tashmë, të gjitha energjitë janë të përqendruara te sfida me Partizanin në transfertë, ku Elbasani do të kërkojë përmbysjen e madhe për të vijuar rrugëtimin në Kupë. Paralelisht, verdheblutë e dinë se nuk kanë luksin të shpërqendrohen, pasi kampionati hyn në javët vendimtare. Sezoni është në pikën e tij kulmore dhe Elbasani synon ta mbyllë atë në mënyrën më të mirë të mundshme.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME