Universiteti “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan organizon Forumin për Ditën Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave në Shkencë :Rektorja Elvira Fetahu me një mesazh të fortë për dijen, lidershipin dhe guximin e grave

Në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan u zhvillua këtë mesjavë  Forumi “Dita Ndërkombëtare e Grave dhe e Vajzave në Shkencë”, një aktivitet i një rëndësie të veçantë që mblodhi së bashku përfaqësuese të sistemit të drejtësisë, institucioneve publike, organizatave, akademisë, biznesit dhe qeverisjes vendore, si dhe maturante e studente, në një ditë reflektimi, dialogu dhe frymëzimi.

Aktiviteti u çel me fjalën përshëndetëse të Prof. dr. Elvira Fetahu, Rektore e Universitetit të Elbasanit, e cila mbajti një fjalim të plotë dhe thellësisht frymëzues:

Fjala e Rektores, Prof. dr. Elvira Fetahu

“Të nderuara paneliste, gra të shquara të shkencës, diplomacisë dhe inovacionit, që na nderoni sot me praninë dhe përvojën tuaj të jashtëzakonshme,
Të nderuar kolegë, profesorë dhe kërkues shkencorë,
Të dashur maturantë, studentë e miq të universitetit.

Sot, ne mblidhemi për të kremtuar një forcë që shpesh në histori ka punuar në heshtje, por që ka ndryshuar rrjedhën e njerëzimit: mendjen dhe kurajën e gruas në shkencë. Kjo ditë nuk është thjesht një manifestim festiv; është një moment reflektimi mbi rrugëtimin e vështirë, plot sfida dhe paragjykime, por në fund triumfues, të grave që guxuan të pyesin atë që të tjerët e merrnin si të mirëqenë.

Shkenca nuk është thjesht një proces i mbyllur laboratorik apo një titull akademik; ajo është mjeti më i fuqishëm që kemi në dorë për të përmirësuar jetën, për të sfiduar të pamundurën dhe për të ndërtuar një të ardhme ku dija është pashaporta e vetme e suksesit.

Në këtë rrugëtim frymëzimi, nuk mund të mos kujtoj me krenari se vetëm pak ditë më parë, Universiteti ynë nderoi figurën e shkencëtares së mirënjohur të matematikës, Prof. Fjoralba Cakoni. Një emër që rrezaton në majat e shkencës botërore dhe që dëshmon se rrënjët tona në Elbasan mund të ushqejnë suksese që prekin botën. Figura e saj është prova e gjallë se pasioni për kërkimin shkencor nuk njeh kufij dhe se vajzat tona mund të jenë protagoniste në disiplinat më komplekse të mendimit njerëzor.

Universiteti i Elbasanit ka zgjedhur të mos jetë thjesht një spektator i këtyre zhvillimeve. Për ne, ky forum është vazhdimësia e një angazhimi që tashmë është shndërruar në një traditë institucionale. Organizimi i rregullt i tryezave të rrumbullakëta mbi barazinë gjinore, workshopeve, trajnimeve dhe takimeve me institucione të ndryshme nuk është një detyrim formal, por një nevojë organike e jetës sonë akademike.

Ne krenohemi që jemi një hapësirë ku debati mbi fuqizimin e gruas është pjesë e përditshmërisë sonë akademike. Përmes planeve tona strategjike për barazinë, ne po sigurohemi që çdo pedagoge, kërkuese shkencore dhe studente të ketë të gjitha mjetet e nevojshme për të shkëlqyer. Shkenca përparon aty ku talenti dhe mendimi kritik nuk njohin barriera artificiale, dhe ne jemi të vendosur ta mbajmë këtë mjedis të hapur, mbështetës dhe gjithëpërfshirës.

Një shembull i shkëlqyer i këtij suksesi është prania e lartë e grave në trupën tonë akademike, si dhe përfshirja e tyre aktive në projekte kombëtare, ndërkombëtare dhe programe mobiliteti. Zonjat pjesë e stafit akademik të Universitetit të Elbasanit publikojnë rregullisht në revista shkencore të indeksuara ndërkombëtarisht, si Scopus dhe Web of Science, duke dëshmuar standarde të larta kërkimi dhe përfaqësim dinjitoz në arenën akademike globale.

Ky vit shënon një tjetër hap të rëndësishëm për institucionin tonë: kemi trefishuar aplikimet në projekte europiane, duke aplikuar në rreth 60 projekte me fonde të Bashkimit Europian. Paralelisht, pothuajse i gjithë stafi ynë akademik është i përfshirë në programin prestigjioz COST, i dedikuar kërkimit shkencor, ku një pjesë e konsiderueshme e përfaqësimit janë gra.

Universiteti ynë tashmë ka miratuar dhe po zbaton Planin e Barazisë Gjinore, si një dokument strategjik që garanton përfshirje, mundësi të barabarta dhe mbështetje reale për zhvillimin profesional të grave në akademi.

Një nga arritjet më domethënëse të këtij viti është anëtarësimi i Universitetit të Elbasanit në rrjetin prestigjioz europian “Marie Skłodowska-Curie”. Ky anëtarësim përfaqëson një konfirmim të standardeve tona të larta në kërkimin shkencor dhe hap horizonte të reja për bashkëpunime ndërkombëtare.

Një tjetër tregues i cilësisë sonë akademike është fakti që kemi anëtare të stafit pjesë të Akademisë së Shkencave, ndër to Prof. Teuta Toska, fituese e çmimit vjetor “Aleks Buda”, një nga vlerësimet më të larta në fushën e kërkimit shkencor në vend.

Jetojmë në një epokë ku teknologjia dhe shkencat ekzakte po riformatojnë botën. Në këtë kuadër, nxitja e grave dhe vajzave drejt programeve STEM është prioritet i palëkundur i yni.

Një mesazh të veçantë e kam për vajzat tona maturante dhe studente: Mos e shihni shkencën si një fushë të paarritshme apo të rezervuar për një elitë të caktuar. Shqipëria ka nevojë për inteligjencën tuaj, për mënyrën sesi ju i zgjidhni problemet dhe për ndjeshmërinë tuaj ndaj nevojave njerëzore. Mos lejoni askënd t’ju thotë se ‘kjo nuk është për ju’. Besoni te kurioziteti juaj, sepse çdo zbulim i madh ka filluar me një ‘Pse’ të guximshme.

Si rektore e këtij universiteti, por edhe si grua që ka kaluar nëpër disa etapa të jetës profesionale, e ndiej këtë ditë si një moment personal reflektimi. Rrugëtimi im ka nisur në botën e biznesit, është formësuar në akademi dhe sot vazhdon në drejtimin e këtij institucioni. Lidershipi nuk ka gjini; ai ka integritet, përkushtim dhe vizion.

Në përfundim, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të veçantë për Znj. Sara Mila, e cila hodhi idenë dhe nxiti organizimin e këtij aktiviteti, si dhe për të gjithë organizatorët, panelistet dhe të pranishmit.

Dëshiroj ta përmbyll me fjalët e Marie Skłodowska-Curie:
‘Në jetë asgjë nuk është për t’u frikësuar, është thjesht për t’u kuptuar. Tani është koha të kuptojmë më shumë, në mënyrë që të frikësohemi më pak.’”

 

Forumi vijoi me katër panele tematike që trajtuan drejtësinë, vendimmarrjen publike, sigurinë, zhvillimin ekonomik, barazinë gjinore, përfshirjen sociale, edukimin dhe qeverisjen vendore, me pjesëmarrjen e figurave të rëndësishme nga Kuvendi, sistemi i drejtësisë, institucionet kombëtare dhe vendore, si dhe nga bota akademike dhe e biznesit.

Pjesëmarrja e gjerë e personelit akademik, maturanteve dhe studenteve e shndërroi këtë forum në një moment të rëndësishëm bashkëpunimi dhe frymëzimi, duke rikonfirmuar rolin e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” si një institucion që mbështet ekselencën akademike, përfshirjen sociale dhe zhvillimin e barabartë të shoqërisë.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Partia politike dhe shoqëria

  Kërkesa e vazhdueshme e shoqërisë për progres ushqen vullnetin...