Universiteti “Aleksandër Xhuvani” nderon tetë personalitete, emocion dhe lot në kujtim të profesor Albert Riskës

Rektorja Prof. Dr. Elvira Fetahu vlerësoi trashëgiminë akademike të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit. Momente të veçanta emocioni ndër të gjithë sollën Gjergj Vyshka, i cili mori çertifikatën në emër të babait të tij, pedagogut themelues Mysa Vyshka, dhe Luljeta Riska, bashkëshortja e profesor Albert Riskës, e cila me lot në sy kujtoi kontributin e bashkëshortit të ndjerë.

 

ELBASAN, 26 nëntor 2026/Albania Express News/-Universiteti “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan organizoi një ceremoni mirënjohjeje, gjatë së cilës nderoi tetë personalitete për kontributin e tyre në historinë dhe zhvillimin e këtij institucioni prestigjioz të arsimit të lartë.

Me Çertifikata Mirënjohjeje u vlerësuan Mustafa Karapinjalli, Emine Sadiku, Liman Varoshi, Riza Hasa, Bardhyl Graceni, Mysaf Vyshka, Tomorr Domi dhe Albert Riska.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Rektorja Prof. Dr. Elvira Fetahu vuri theksin te rëndësia e trashëgimisë akademike, respekti për figurat që kanë kontribuar ndër vite dhe përgjegjësia për të përcjellë vlerat universitare te brezat e rinj.

Luljeta Riska, me lot në sy: Albertin nuk e kujtojmë vetëm si profesor, por për gjithçka që i dha universitetit

Momenti më prekës i ceremonisë ishte fjala e zonjës Luljeta Riska, mësuese në shkollën 9-vjeçare “Qamil Guranjaku” në Elbasan dhe bashkëshortja e Profesor as. dr. Albert Riskës, i cili u nda nga jeta më 13 gusht 2026, në moshën 62-vjeçare.

Me zë të dridhur dhe lot në sy, ajo solli në vëmendje kontributin e jashtëzakonshëm të bashkëshortit të saj për Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, veçanërisht gjatë dy dekadave të fundit të jetës së tij.

Albert Riska mbajti disa detyra të rëndësishme drejtuese, si përgjegjës seksioni dhe departamenti, ndërsa në vitet 2016–2022 shërbeu si dekan i Fakultetit të Shkencave Humane. Ai ishte gjithashtu sekretar i Këshillit Botues dhe redaktor i Buletinit Shkencor UNIEL.

Në mesazhin e saj emocional, Luljeta Riska shprehu krenarinë për rrugëtimin akademik dhe kontributin e bashkëshortit, duke falënderuar drejtuesit e universitetit për faktin se puna dhe përkushtimi i tij nuk janë harruar.

Ajo përcolli edhe një mesazh të fortë njerëzor: pas largimit fizik të një njeriu të dashur mbetet dhimbja, por edhe krenaria kur institucioni ku ai punoi për vite me radhë e kujton, e vlerëson dhe e mban gjallë kontributin e tij.

Ishte një çast ku emocionet familjare u ndërthurën me mirënjohjen institucionale, duke dëshmuar se vlerat e një pedagogu nuk përfundojnë me jetën e tij, por vazhdojnë të jetojnë përmes veprës, studentëve dhe kujtesës së universitetit.

Ceremonia e 26 nëntorit ishte një homazh për njerëzit që kanë ndërtuar historinë akademike të Elbasanit dhe një dëshmi se mirënjohja për kontributin e tyre mbetet një vlerë që lidh brezat.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Taulant Balla reagon për dhunën në protestë: Seksioni i dhunës së Saliut, sulme në Ditën e Pavarësisë

TIRANË ,28 nëntor 2026/Albania Express News/-Kryetari i grupit parlamentar...

Protestuesi qëllon me llastiqe në drejtim të policisë

TIRANË ,28 nëntor 2026/Albania Express News/-Një protestues është filmuar...

114-vjetori i Pavarësisë, krerë të shtetit të Shqipërisë dhe Kosovës në ceremoninë e ngritjes së flamurit në Vlorë

TIRANË ,28 nëntor 2026/Albania Express News/-Në qytetin e Vlorës,...