TIRANË, 4 shtator 2026 / Albania Express News / – Tre mjekë shqiptarë nga diaspora janë rikthyer në Shqipëri për të ushtruar profesionin dhe për t’iu bashkuar sistemit shëndetësor vendas, përmes Platformës për Mjekët nga Diaspora.
Bëhet fjalë për profesionistë me përvojë të rëndësishme në institucione shëndetësore dhe akademike në Europë dhe Amerikën e Veriut, të cilët kanë vendosur të sjellin në Shqipëri eksperiencën dhe njohuritë e fituara gjatë viteve të punës jashtë vendit.
Një prej tyre është Ermelinda Bahollari, e specializuar në Mjekësi Interne dhe Kardiologji në Gjermani. Ajo do t’i bashkohet ekipit mjekësor të Spitalit Memorial Fier, duke kontribuar me eksperiencën e saj në një prej fushave të rëndësishme të shërbimit shëndetësor.
Pjesë e sistemit shëndetësor shqiptar bëhet edhe Mikel Kamami, i diplomuar në Itali dhe i specializuar pranë Spitalit Vita-Salute San Raffaele në Milano. Ai është emëruar në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, ku pritet të vijojë aktivitetin e tij profesional.
Ndërkohë, Neritan Boriçi, me rreth 25 vite përvojë profesionale dhe kërkimore, rikthehet në Shqipëri pas një karriere të zhvilluar edhe në institucione referente në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Eksperienca e tij në fushën mjekësore dhe kërkimore do t’i shtohet kapaciteteve të sistemit shëndetësor shqiptar.

Rikthimi i tre profesionistëve shihet si një tjetër hap në drejtim të afrimit të mjekëve shqiptarë që kanë ndërtuar karrierën e tyre jashtë vendit me sistemin shëndetësor në Shqipëri.
Përmes këtyre nismave, eksperienca e fituar në institucione të huaja synohet të kthehet në një vlerë të shtuar për shëndetësinë shqiptare, duke sjellë njohuri, përvojë profesionale dhe standarde bashkëkohore në shërbimet mjekësore.
Platforma për Mjekët nga Diaspora synon të krijojë ura bashkëpunimi mes profesionistëve shqiptarë jashtë vendit dhe institucioneve shëndetësore në Shqipëri, duke mundësuar rikthimin dhe angazhimin e tyre në sistemin vendas.

