PËRMET,26 maj 2026/Albania Express News/Në aktivitetin madhështor “Dita Naimiane”, organizuar në qytetin e Përmet me rastin e 180-vjetorit të lindjes së Naim Frashëri, një nga fjalët më domethënëse dhe emocionuese u mbajt nga drejtuesi i Shoqatës Kulturore Atdhetare Mbarëkombëtare “Vëllezërit Frashëri”, Tomorr Kotorri. Në përshëndetjen e tij, ai vlerësoi figurën e ndritur të poetit kombëtar dhe rëndësinë që vazhdon të ketë fryma e Rilindjes Kombëtare në ruajtjen e identitetit shqiptar. Kotorri shprehu mirënjohje të veçantë për pjesëmarrjen e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij Edmond Brahimaj, të cilin e cilësoi si një udhëheqës shpirtëror me vlera të larta fetare, atdhetare dhe njerëzore, ndërsa falënderoi gjithashtu zj.Alma Hoxha dhe gjithë personalitetet e kulturës, akademikët, poetët dhe studiuesit nga trojet shqiptare dhe diaspora që morën pjesë në këtë eveniment kulturor.
Në fjalën e tij, Tomorr Kotorri theksoi se “Dita Naimiane” nuk ishte një aktivitet i zakonshëm kulturor, por kjo ditë u kthye në një vatër e rëndësishme e dijes, artit dhe shpirtit shqiptar, ku përmes poezisë dhe mendimit rilindas bashkohen brezat dhe forcohet ndërgjegjja kombëtare. Ai vuri në dukje se poezia e Naim Frashërit vazhdon të mbetet një dritë udhërrëfyese për kombin shqiptar, një thirrje për dashuri ndaj gjuhës, kulturës dhe Shqipërisë. Po ashtu, ai ndaloi edhe tek gjendja aktuale e Dangëllisë dhe Frashërit, duke shprehur shqetësimin për braktisjen dhe mungesën e investimeve, ndërsa bëri thirrje që institucionet, akademikët, poetët dhe gjithë faktori kombëtar të bashkohen për ta rikthyer Frashërin në vendin që meriton si një qendër të rëndësishme monumentale, kulturore dhe kombëtare, “Meka e shqiptarëve”, siç e quajti ai gjatë fjalimit të tij.


