Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, iu bashkua sot fushatës ndërkombëtare të “Tetorit rozë”, muajit të ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit.
Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, ai theksoi se mjekët nuk janë aty vetëm për të kuruar, por mbi të gjitha për të parandaluar, duke kujtuar se zbulimi i hershëm shpëton jetë.
“Bëj mamografinë dhe ekografinë e gjirit, për veten, për ata që të duan, për ata që të presin çdo ditë në shtëpi”, ishte mesazhi i Ballës.
Tetori është shpallur muaj ndërgjegjësimi për kancerin e gjirit që prej viteve ’80, fillimisht në Shtetet e Bashkuara, dhe është përhapur në mbarë botën si një fushatë e gjerë për informim, parandalim dhe mbështetje për gratë e prekura.
Simboli i kësaj fushate është fjongoja rozë, e cila sot njihet si shenjë globale solidariteti dhe shprese.