Cërrik, 25 shtator 2026 /Albania Express News/- Të rinjtë e Shtepanjës janë bërë pjesë e aktivitetit “Udhëheqja në Veprim – Ndërtojmë të ardhmen tonë të përbashkët”, një nismë e fokusuar në zhvillimin e aftësive të lidershipit, bashkëpunimit dhe përfshirjes aktive të të rinjve në jetën e komunitetit.
Aktiviteti u zhvillua në një atmosferë bashkëpunimi dhe energjie pozitive, ku të rinjtë patën mundësinë të shprehin idetë e tyre, të punojnë në grup dhe të diskutojnë mbi mënyrat se si mund të kontribuojnë në zhvillimin e zonës ku jetojnë.
Një pjesë e rëndësishme e takimit ishin lojërat ndërvepruese dhe aktivitetet e teambuilding-ut. Përmes ushtrimit të “rrjetit të bashkëpunimit”, të rinjtë u angazhuan në një aktivitet praktik që synonte të evidentonte rëndësinë e çdo individi dhe të çdo ideje brenda një ekipi.
Në vijim, pjesëmarrësit u ndanë në grupe pune, ku diskutuan dhe hodhën në postera idetë e tyre për komunitetin. Prezantimet para grupit u shoqëruan me diskutime dhe shkëmbim pikëpamjesh, duke nxitur vetëbesimin, komunikimin dhe aftësitë për të punuar në ekip.
Një nga rezultatet konkrete të aktivitetit ishte hedhja e bazave për krijimin e Grupit të Rinjve të Shtepanjës, i cili synon të shërbejë si një hapësirë e qëndrueshme për organizimin e të rinjve dhe ndërmarrjen e nismave e projekteve të reja në komunitet.
Përmes këtij grupi, të rinjtë synojnë të kenë një rol më aktiv në identifikimin e nevojave të zonës, në promovimin e ideve të reja dhe në realizimin e aktiviteteve me ndikim në komunitet.
Nisma vë në qendër fuqizimin e të rinjve dhe krijimin e mundësive që ata të zhvillojnë aftësitë e tyre, të bashkëpunojnë dhe të marrin pjesë në mënyrë aktive në jetën shoqërore dhe komunitare.
Aktiviteti u zhvillua në kuadër të angazhimeve për përfshirjen dhe fuqizimin e të rinjve në komunitetet e Bashkisë Cërrik.


