Në Bashkinë Elbasan, u zhvillua një takim në kuadër të shkëmbimit të eksperiencave ndërmjet të rinjve të qytetit të Ferizajt dhe atyre të Elbasanit.
Të rinjtë u pritën nga nënkryetarja e bashkisë, Klaudia Krasnika, e cila theksoi se rinia mbetet një nga prioritetet kryesore të Bashkisë Elbasan, duke vlerësuar rolin e saj në zhvillimin social dhe qytetar.
Takimi u konceptua si një bisedë e hapur mbi funksionimin e strukturave rinore në qytetet respektive, duke krijuar një hapësirë dialogu dhe bashkëpunimi ndërmjet të rinjve.

Gjatë këtij aktiviteti, pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen nga afër me Drejtorin e Rinisë, si dhe me politikat dhe programet rinore që zbaton Bashkia Elbasan.
Bashkia Elbasan mbetet e hapur për çdo formë bashkëpunimi, jo vetëm në nivel lokal dhe qendror, por edhe përtej kufijve të Shqipërisë, duke inkurajuar partneritete të reja dhe shkëmbime ndërkombëtare.
Nëpërmjet mekanizmave si buxhetimi me pjesëmarrje dhe takimeve të vazhdueshme me të rinjtë, Bashkia Elbasan, gjatë këtij viti, ka akorduar një buxhet të dedikuar për rininë, në mbështetje të aktiviteteve kulturore dhe artistike të propozuara nga vetë të rinjtë.

Pas përfundimit të takimit, të rinjtë vizituan ekspozitën e “Ditës së Verës” në ambientet e Bashkisë Elbasan. Më pas, ata ndoqën nga afër provat zyrtare të shfaqjes së radhës në Teatrin “Skampa”, si dhe vijuan me një vizitë në Muzeun Etnografik të qytetit.
Në përfundim, përfaqësuesit e Ferizajt shprehën gatishmërinë për vijimin e këtij bashkëpunimi, duke bërë me dije se takimi i radhës do të zhvillohet në qytetin e tyre.

