Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Diabetit, Spitali Rajonal Elbasan u bën thirrje të gjithë qytetarëve që t’i kushtojnë vëmendjen e duhur parandalimit, diagnostikimit të hershëm dhe menaxhimit të saktë të kësaj sëmundjeje, e cila prek mijëra njerëz çdo ditë.
Diabeti nuk është vetëm një diagnozë, por një sfidë e përditshme që kërkon ndërgjegjësim, disiplinë dhe mbështetje të vazhdueshme. Nëse trajtohet me kujdes, me stil jetese të shëndetshëm dhe mbështetje profesionale, ai mund të menaxhohet duke i mundësuar pacientit një jetë aktive dhe dinjitoze.
Spitali Rajonal Elbasan thekson përkushtimin e tij të plotë për të ofruar shërbime cilësore për pacientët me diabet, si dhe për të promovuar një mënyrë jetese që ndihmon në parandalimin e kësaj sëmundjeje. Ekipet mjekësore vijojnë çdo ditë punën për edukimin shëndetësor, kontrollin e rregullt dhe trajtimin profesional të të gjithë pacientëve që kanë nevojë.

Mesazhi për qytetarët është i qartë dhe i domosdoshëm:
• Kujdesuni për shëndetin tuaj.
• Kontrolloni rregullisht nivelin e sheqerit në gjak.
• Ushqehuni shëndetshëm dhe bëni aktivitet fizik.
• Mos e lini pas dore kontrollin mjekësor periodik.
Dita Ndërkombëtare e Diabetit na kujton se shëndeti është pasuria më e çmuar. Parandalimi fillon nga vetja, ndërsa bashkëpunimi mes komunitetit dhe profesionistëve të shëndetit është çelësi për një jetë më të sigurt dhe më të shëndetshme.

