Qeveria e Spanjës ka vendosur të largojë 53.876 apartamente pushimesh të paligjshme nga platformat online, duke i rikthyer ato në tregun e rregullt të pasurive të paluajtshme. Kryeministri Pedro Sánchez, në një aktivitet të mbajtur në Malaga, tha se këto apartamente do të jenë në dispozicion të “të rinjve dhe familjeve të vendit tonë”.
Sipas tij, bëhet fjalë për banesa që kanë aplikuar për numrin e detyrueshëm të regjistrimit pas 1 korrikut, por nuk e kanë marrë, pasi nuk plotësojnë kriteret ligjore. “Mijëra parregullsi janë zbuluar në shumë prej këtyre akomodimeve,” tha Sánchez.
Sipas të dhënave të RTVE, shifrat më të larta të apartamenteve të paligjshme janë në Sevilje (2.289), Marbeja (1.802), Barcelonë (1.564), Malaga (1.471) dhe Madrid (1.257). Ministria e Strehimit ka njoftuar platformat e akomodimeve që të heqin ofertat e këtyre pronave.
Kryeministri theksoi se nisma është pjesë e strategjisë së qeverisë së majtë për ta rikthyer strehimin në funksionin e tij real, për të frenuar qiratë e paligjshme të apartamenteve turistike dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës në qytetet spanjolle.
Prej vitesh, Spanja përballet me mungesë të theksuar strehimi, ndërsa numri i apartamenteve të pushimeve është rritur në mbi 400 mijë, me një normë rritjeje deri në 15% çdo vit. Më herët, qeveria kishte ndërmarrë masa të ngjashme, duke hequr dhjetëra mijëra njësi nga platforma Airbnb.



