TIRANË ,20 korrik 2026/Albania Express News/-Ditën e sotme do të mbahet seancë plenarë, e parafundit, përpara mbylljes së këtij sesioni.
Pritet që seanca të nisë në orën 12:00, teksa po ashtu protestuesit kanë paralajmëruar një ditë më parë se sot do të mblidhen përpara Kuvendit. Protestuesit tashmë kanë nisur të grumbullohen përpara parlamentit.
Po ashtu, Partia Demokratike, e cila ka bojkotuar dy seancat e fundit plenare, do të mbledhë sot Grupin Parlamentar.
Debatet e ashpra në grup i lanë vend reflektimit. Gazmend Bardhi porositi me mesazh deputetët që të përgatiten për skenarin e pjesëmarrjes në seancë plenare, ndonëse vendimi final do merret në seli vetëm 1 orë para mbledhjes së Parlamentit ku kryefjalën do e kenë rezolutat e institucioneve te drejtësisë.
“Të hënën, datë 20 Korrik, ora 11:00 do te zhvillojmë mbledhje të Grupit Parlamentar të PD, në seli. Është caktuar seancë plenare të hënën, ora 12:00. Përgatitemi në çdo rast për seancën, që të jemi gati nëse grupi parlamentar vendos që të marrin pjesë”, njofton kreu i Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi.
Demokratët nisën bojkotin e seancave më 2 korrik, ditë kur qytetarët rrethuan Parlamentin.

