TIRANË, 14 shtator 2026 /Albania Express News/ – Mijëra nxënës në të gjithë vendin rikthehen sot në bankat e shkollës, në nisje të vitit të ri shkollor 2026–2027. Për rreth 25 mijë fëmijë, kjo është dita e parë në klasën e parë, një moment i veçantë për ta dhe familjet e tyre.
Në këtë ditë të rëndësishme, Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, u është drejtuar nxënësve, mësuesve, prindërve dhe gjyshërve me një videomesazh urimi, duke theksuar përmirësimin e kushteve në shkolla, forcimin e sigurisë dhe zgjerimin e aktiviteteve që zhvillohen pas përfundimit të mësimit.
Kumbaro u ka kushtuar një vëmendje të veçantë vogëlushëve që nisin klasën e parë, duke e cilësuar këtë ditë si një kujtim që do të mbetet gjatë në jetën e tyre.
“Ne të rriturit, mësuesit, drejtori i shkollës suaj, jemi kujdesur që kjo të jetë një ditë e bukur, e gëzueshme dhe ju të ruani kujtime të bukura prej saj”, u shpreh ministrja.
Ajo u ka treguar nxënësve të vegjël se gjatë ditës së parë do të njihen me klasën, palestrën, oborrin, laboratorët dhe shokët e rinj, ndërsa ka përcjellë urime për të gjithë nxënësit e arsimit parauniversitar, nga arsimi parashkollor deri te maturantët.
53 shkolla të reja ose të rehabilituara
Viti i ri shkollor nis me investime në infrastrukturën arsimore. Sipas Ministrisë së Arsimit, 53 shkolla të reja ose të rehabilituara hapin dyert për nxënësit këtë vit, ndërsa janë miratuar edhe 39 projekte të tjera për rikonstruksionin e shkollave.
Krahas përmirësimit të infrastrukturës, një tjetër fokus i rëndësishëm është siguria. Gjatë këtij viti shkollor do të jenë në shërbim të nxënësve mbi 400 oficerë sigurie, të cilët do të punojnë sipas protokolleve dhe standardeve të përditësuara.
Është fuqizuar gjithashtu shërbimi psiko-social në shkolla. Rreth 900 psikologë dhe punonjës socialë do të jenë të pranishëm në institucionet arsimore në të gjithë vendin, me synim adresimin e nevojave sociale dhe emocionale të nxënësve.
Në Tiranë, 20 shkolla janë pjesë e projektit pilot “Smart City”, që parashikon masa të shtuara sigurie përmes përdorimit të kamerave inteligjente.
“Pas Shkolle” shtrihet në 408 shkolla
Një prej risive kryesore të vitit të ri shkollor është zgjerimi i programit “Pas Shkolle”, i cili pas fazës pilot në Tiranë gjatë vitit të kaluar, tashmë do të zbatohet në 408 shkolla në të gjithë Shqipërinë.
Programi synon që nxënësit të kenë mundësi të qëndrojnë më gjatë në mjediset e shkollës, jo vetëm për mësim, por edhe për aktivitete krijuese, sportive dhe kulturore.
Nxënësit dhe prindërit do të informohen gjatë javëve të para për mënyrën e funksionimit të programit dhe do të mund të zgjedhin klubet ku dëshirojnë të marrin pjesë, nga arti dhe muzika, te teatri, sporti, zejet dhe aktivitete të tjera.
Për organizimin e këtyre aktiviteteve është hapur edhe thirrja për trajnerë, ku mund të aplikojnë mësues, mësues në pension, artistë, artizanë dhe profesionistë të fushave të ndryshme.
Ministrja: Fokusi te mësimi dhe kreativiteti
Në mesazhin e saj, ministrja Kumbaro ka kërkuar nga nxënësit që ta shfrytëzojnë shkollën si një hapësirë për dije, kreativitet dhe zhvillim personal.
Ajo përmendi laboratorët, “smartlab”-et, festivalin e shkencës, olimpiadat, konkurset e gjuhës dhe aktivitetet artistike si mundësi që nxënësit të shfaqin aftësitë e tyre.
Një mesazh i veçantë iu drejtua edhe përdorimit të telefonave celularë në shkolla, me ministren që theksoi rëndësinë e përqendrimit gjatë orës së mësimit.
“Është shumë e rëndësishme që e gjithë vëmendja dhe fokusi juaj të jetë në mësim. Suksesi dhe profesioni që do të keni nesër varet nga sa do të mësoni sot”, u shpreh Kumbaro.
Ndërsa për maturantët, ajo e cilësoi vitin e fundit të shkollës së mesme si një periudhë me sfida të rëndësishme, ku puna dhe përkushtimi do të jenë vendimtare.
Rreth 1200 nxënës kalojnë nga shkollat private në ato publike
Të dhënat paraprake të Ministrisë së Arsimit tregojnë gjithashtu një lëvizje interesante në sistemin arsimor. Rreth 1200 nxënës janë transferuar nga shkollat jo-publike në shkollat publike për këtë vit shkollor.
Sipas ministrisë, kjo prirje interpretohet si një tregues i besimit në rritje të familjeve te cilësia dhe mundësitë që ofron sistemi publik i arsimit.
Viti shkollor 2026–2027 nis kështu me investime në infrastrukturë, masa të shtuara sigurie, forcim të shërbimit psiko-social dhe zgjerim të aktiviteteve jashtë orarit mësimor, ndërsa mijëra nxënës rikthehen në shkolla pas pushimeve verore.
Për mijëra familje, ndërkohë, 14 shtatori shënon një fillim të ri, veçanërisht për rreth 25 mijë vogëlushët që sot hedhin hapin e parë në rrugëtimin e tyre shkollor.

