TIRANË , 27 nëntor 2026/Albania Express News/-Kryeministri Edi Rama zhvilloi një konferencë të përbashkët për shtyp me Komisioneren për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, në Pallatin e Brigadave në Tiranë.
Në fokus të deklaratave të tij ishin procesi i integrimit europian, objektivi për përmbylljen e detyrimeve deri në vitin 2027, ulja e tarifave të roaming për qytetarët dhe bizneset e rajonit, si dhe investimet në infrastrukturë, energji dhe rrjetet digjitale.
Kryeministri Edi Rama u shpreh se regjimi i roaming-ut po shtrihet edhe për qytetarët dhe bizneset e Ballkanit Perëndimor, por edhe për qytetarët që vizitojnë vendet e rajonit.
“Synimi ynë është që në vitin 2027 qytetarët tanë të kenë tarifa të reduktuara të roaming-ut. Ne jemi edhe përdorues aktivë të telefonave. Do të jetë një kursim i madh gjatë vitit 2027, të cilin qytetarët do ta ndiejnë”, deklaroi Rama.
Duke u ndalur te investimet dhe inovacioni, kryeministri tha se konferenca e zhvilluar një ditë më parë shfaqi të gjithë potencialin e rajonit dhe krijoi mundësi për ndërveprim me bizneset.
Ai theksoi se Bashkimi Europian, përmes Komisionit Europian dhe nën drejtimin e Drejtorisë së Përgjithshme për Zgjerimin, po eksploron hapa të tjerë drejt integrimit të përbashkët.
“Koridoret e transportit, interkoneksionet energjetike dhe rrjetet digjitale janë investime në aftësinë e ekonomive tona për të tregtuar dhe për t’u rritur së bashku”, u shpreh Rama.
Kryeministri bëri të ditur se diskutimet me Komisioneren Marta Kos shkuan përtej zbatimit të Planit të Rritjes, duke theksuar se viti 2027 është një objektiv i qartë për Shqipërinë.
“Si përfundim, ne kemi një qartësi të plotë mbi vitin 2027. Komisionerja thotë se 2027-a do të jetë viti i Shqipërisë për Komisionin Europian. Për ne po ashtu, sepse ne jemi Shqipëria, kështu që nuk diskutohet që të jetë viti i dikujt tjetër.
Ne nuk do të lëmë asgjë mangët nga ana jonë, duke plotësuar pikë për pikë detyrat që kemi. Jo se na i kërkon ‘zysha’ që kam në krah, por sepse na i kërkon e nesërmja e fëmijëve tanë dhe e vendit tonë”, deklaroi Rama.
Në vijim, ai theksoi se çdo detyrë e përmbushur në funksion të anëtarësimit në Bashkimin Europian është njëkohësisht një hap drejt modernizimit të Shqipërisë, përfundimit të procesit të shtetbërjes dhe konsolidimit të institucioneve.
“Çdo detyrë e kryer në funksion të anëtarësimit në BE është një detyrë e kryer në funksion të modernizimit të Shqipërisë dhe përmbylljes së shtetbërjes, konsolidimit të institucioneve në Shqipëri. Sepse, në fund, diferencën e bëjnë institucionet”, tha Rama.
“Ne nuk kërkojmë asnjë dhuratë, por të marrim maksimumin e detyrave dhe t’i plotësojmë ato në maksimum. E dashur Marta, duke qenë se kjo është konferenca jonë e fundit për këtë vit, dua të të falënderoj për gjithçka që ke bërë për ne dhe për rajonin. Uroj që Viti i Ri të jetë më i miri ndër të gjithë vitet për ty, sepse sa më i mirë të jetë Viti i Ri për ty, aq më i mirë do të jetë edhe për ne, në funksion të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, përfundoi Rama.

