Qyteti i Elbasanit bëhet pjesë e hartës së finaleve të futbollit europian, stadiumi “Elbasan Arena ” pret sfidat e Europianit U-21 në vitin 2027

NGA FATMIR POPJA

Stadiumi “Elbasan Arena” do të jetë një nga impiantet ku do të zhvillohen ndeshje të fazës finale të Kampionatit Europian U-21 2027. Një ngjarje e rëndësishme sportive për qytetin e Elbasanit, që do të jetë pjesë e një prej aktiviteteve më të mëdha futbollistike të organizuara në Shqipëri. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, garanton organizim cilësor, kushte optimale dhe mikpritje për kombëtaret pjesëmarrëse.

 


ELBASAN – TIRANË , 27 nëntor 2026/Albania Express News/-
Futbolli europian do të zbresë edhe në Elbasan! Stadiumi “Elbasan Arena” do të jetë një nga impiantet pritëse të Kampionatit Europian U-21, që do të zhvillohet në Shqipëri në qershor të vitit 2027. Organizimi i këtij aktiviteti madhor do t’i japë qytetit një mundësi të veçantë për të qenë pjesë e një ngjarjeje me rëndësi ndërkombëtare, duke sjellë në shkallët e stadiumit përfaqësuese të futbollit europian dhe tifozë nga vende të ndryshme.

Përfshirja e “Elbasan Arena” në organizimin e këtij kampionati përbën një vlerësim për infrastrukturën sportive të qytetit dhe një mundësi të rëndësishme për promovimin e Elbasanit në arenën ndërkombëtare. Për disa ditë, qyteti do të jetë në vëmendjen e sportdashësve, mediave dhe përfaqësuesve të futbollit europian.

Ky aktivitet merr një rëndësi edhe më të madhe për faktin se Shqipëria do të organizojë për herë të parë një Kampionat Europian U-21, duke qenë njëkohësisht edhe pjesëmarrëse në fazën finale të turneut.

Pas ceremonisë së shortit, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, komentoi grupin e Shqipërisë dhe pritshmëritë për organizimin e këtij kompeticioni.

Kombëtarja shqiptare U-21 u pozicionua në Grupin B, ku do të përballet me Spanjën, Italinë dhe Finlandën. Një grup me kundërshtarë të nivelit të lartë, që do të vendosë përballë kuqezinjtë me tri shkolla të njohura të futbollit europian.

Duka u shpreh i lumtur për këtë moment historik të futbollit shqiptar, duke theksuar se Shqipëria do të jetë e përgatitur për të mirëpritur të gjitha skuadrat pjesëmarrëse, si në aspektin e infrastrukturës sportive, ashtu edhe në organizimin dhe mikpritjen.

“Jam vërtet shumë i lumtur që jam sot në këtë short për Shqipërinë U-21 për herë të parë në një Kampionat Europian, pavarësisht se si vend organizator. Një event fantastik, i organizuar shumë mirë, që do t’i hapë rrugën edhe një organizimi shumë të mirë të Kampionatit Europian”, u shpreh kreu i FSHF-së.

Duke folur për kundërshtarët e Shqipërisë, Duka vlerësoi nivelin e lartë të skuadrave pjesëmarrëse, ndërsa shprehu besimin te potenciali i ekipit të drejtuar nga Alban Bushi.

Ai theksoi se kuqezinjtë kanë një grup kompakt, një staf teknik cilësor dhe mbështetjen e tifozëve shqiptarë, të cilët pritet të jenë një faktor i rëndësishëm gjatë këtij kompeticioni.

Presidenti i FSHF-së nënvizoi gjithashtu se ky Europian do të jetë një mundësi e rrallë për publikun shqiptar për të ndjekur nga afër futbollin e nivelit të lartë, duke ftuar tifozët të jenë të pranishëm në stadiume.

Finalja e madhe e kampionatit do të zhvillohet në stadiumin “Arena Kombëtare” në Tiranë, ndërsa ndeshjet e tjera do të shpërndahen në impiantet pritëse, ku përfshihet edhe “Elbasan Arena”.

Elbasani, në qendër të vëmendjes sportive europiane

Për qytetin e Elbasanit, organizimi i ndeshjeve të këtij kampionati përfaqëson më shumë sesa një aktivitet futbollistik. Është një mundësi për të dëshmuar kapacitetet e tij pritëse, për të promovuar emrin e qytetit përtej kufijve dhe për të gjallëruar jetën sportive, ekonomike e turistike.

Pritja e kombëtareve europiane, praninë e tifozëve të huaj dhe interesimin e mediave ndërkombëtare pritet ta shndërrojnë Elbasanin në një nga pikat e rëndësishme të hartës së këtij aktiviteti.

“Elbasan Arena”, një stadium me traditë në organizimin e ndeshjeve të futbollit kombëtar dhe ndërkombëtar, do të ketë kështu një tjetër mundësi për të dëshmuar rëndësinë e tij në infrastrukturën sportive shqiptare.

Qershori i vitit 2027 pritet të jetë një periudhë e veçantë për futbollin shqiptar. Shqipëria do të presë Europën, ndërsa Elbasani do të ketë privilegjin të jetë pjesë e këtij organizimi historik pasi në stadiumin “Elbasan Arena” për herë të parë do të luhen ndeshje të finaleve të kampionatit europian të futbollit .

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Shenzhen, takimi ku fuqitë konfirmuan konkurrim me ekuilibër

Nga Aleksandër Çipa TIRANË , 27 nëntor 2026/Albania Express News/-Takimi...

Diplomacia kineze në kërkim të një dimensionimi në hapësirën euroaziatike

Nga  Aleksandër Çipa   TIRANË , 27 nëntor 2026/Albania Express News/-Atlasi...