Si’Hana Hotel & Restaurant në Elbasan – një perlë që i shtohet elitës së sipërmarrjeve shqiptare

Kur ëndrra familjare kthehet në trashëgimi dhe shkëlqim modern

Në një atmosferë të mbushur me dritë, emocion dhe elegancë, fundjava që lamë pas shënoi hapjen madhështore të Si’Hana Hotel & Restaurant, investimi më i ri i Fetahu Grup, që tashmë ka nisur funksionimin e tij të plotë.

Ky projekt unik, i vendosur në një nga zonat më të preferuara, është një kombinim perfekt i arkitekturës bashkëkohore, shërbimit elitar dhe frymëzimit familjar, duke e kthyer në një simbol të ri të mikpritjes shqiptare.

Një hapje që tejkalon ceremoninë

Eventi zyrtar i përurimit të Si’Hana Hotel & Restaurant në Elbasan ishte një mbrëmje e kuruar me shije të hollë në çdo detaj: nga atmosfera e dritës dhe dekorit, te muzika dhe mikpritja.

Të ftuarit u pritën me ngrohtësi nga Nazire Fetahu dhe vajzat e saj, Elvira, Elona dhe Elearta, të cilat përfaqësojnë me dinjitet gjeneratën e re të familjes që po e çon përpara vizionin e ndërtuar me vite pune, përkushtim dhe dashuri.

Në emër të Fetahu Grup, fjalën e rastit e mbajti Elvira Fetahu, një nga momentet më të ndjera dhe më të përjetuara të mbrëmjes. Fjala e saj ishte një reflektim i thellë mbi historinë familjare që qëndron pas këtij investimi dhe mbi vlerat që i japin çdo suksesi shpirt dhe kuptim.

Fjala e plotë e Elvira Fetahut

Është kënaqësi e veçantë të jemi sot së bashku për të ndarë një moment që për shumëkënd përfaqëson një investim ekonomik, por për disa të tjerë është një histori jete, përkushtimi dhe dashurie për punën.

Në rrjedhën e punës sime, më është dashur të mbaj shumë fjalime në aktivitete të ndryshme: në ngjarje akademike, profesionale apo bashkëpunime ndërinstitucionale. 

Por duhet të them se ky fjalim është ndryshe. Është më i veçantë, sepse pas tij qëndron një histori që nuk lidhet vetëm me suksesin në biznes, por me vlerat njerëzore, familjare dhe emocionale që e bëjnë çdo arritje të ketë shpirt dhe domethënie.

Sot, me inaugurimin e Si’Hana Hotel & Restaurant, dëshmohet jo vetëm suksesi i një kompanie, por qëndrueshmëria e një familjeje që ndër vite ka ditur të kthejë punën në trashëgimi dhe vizionin në realitet. 

Çdo rrugëtim i madh ka një pikënisje modeste.

Historia fillon në vitin 1991, me themelimin e Firmës EL nga prindërit tanë, Yzeir dhe Nazire Fetahu, me shumë mund, përkushtim dhe besim. Ishte një ndërmarrje që lindi nga nevoja, u rrit nga pasioni dhe u bë frymëzim për të gjithë ata që besojnë se suksesi nuk është dhuratë, por rezultat i këmbënguljes dhe i vlerave të qëndrueshme.

Në këtë moment, nuk mund të mos kujtojmë me respekt dhe mirënjohje babin tonë, si bashkëthemelues i këtij biznesi familjar. Ai ishte njeriu që, me punën, urtësinë dhe përkushtimin e tij, hodhi themelet e para mbi të cilat ne ndërtojmë sot. Edhe pse fizikisht nuk është më mes nesh, prania e tij ndihet në çdo hap, në çdo vendim dhe në çdo vlerë që mbart Fetahu Grup. 

Trashëgimia e tij është frymëzim për ne që të ecim përpara me të njëjtin pasion dhe ndershmëri që ai na mësoi.

Sot, këtë rrugë jemi angazhuar me dinjitet ta vazhdojmë ne, fëmijët e tij, së bashku me nënën tonë, duke ruajtur frymën themeluese të kompanisë, por duke i dhënë asaj me kalimin e viteve një frymë të re moderne, inovative dhe të orientuar drejt zhvillimit të qëndrueshëm.

Ky biznes i ri që po hapet sot është dëshmi e qartë se tradita dhe inovacioni nuk janë në kundërshtim, por mund të ecin krah për krah, duke e bërë suksesin të qëndrueshëm dhe të ndërtuar mbi vlera njerëzore. 

Në çdo gur themeli të këtij projekti gjendet diçka më shumë se investim: gjendet dashuria dhe vendosmëria për punën, respekti për trashëgiminë dhe besimi te familja si themel i çdo arritjeje.

Vlera këto që nëna jonë i ka mishëruar më së miri dhe ka ditur t’i kultivojë te ne.

Kjo është arsyeja pse ky moment nuk është thjesht një hapje biznesi, por një vazhdim i një ëndrre që nisi shumë vite më parë dhe që sot merr formë të re, më të madhe, më ambicioze. 

Në një kohë kur zhvillimi ekonomik kërkon vizion, përgjegjësi dhe bashkëpunim, shembuj si ky tregojnë se sipërmarrja shqiptare ka energji, ka ide dhe mbi të gjitha ka njerëz që besojnë te puna dhe te vlerat.

Si’Hana Hotel & Restaurant do të jetë më shumë se një emër në treg. Do të jetë një biznes që do të mbajë me vete dhe do të lartësojë historinë që flet për integritet, përkushtim dhe respekt ndaj klientëve, partnerëve dhe komunitetit. 

Në këtë ditë të rëndësishme, dua të shpreh urimet më të sinqerta për çdo anëtar të kësaj familjeje që ka kontribuar në këtë arritje, por mbi të gjitha për Eleartën, e cila jam e bindur se, me shumë përgjegjshmëri, do dijë ta çojë përpara këtë trashëgimi.

Uroj që ky hap i ri të sjellë suksese të mëdha, të krijojë vende pune, të nxisë bashkëpunime të reja dhe të vazhdojë të jetë një shembull frymëzues për brezat që vijnë.

Çdo biznes që lind me pasion, përkushtim dhe që ndërtohet mbi vlera të forta, është një pasuri për komunitetin dhe për vendin. 

Prandaj sot, nuk festojmë vetëm një hapje, por një vazhdim të një rrugëtimi të bukur, që bashkon të shkuarën me të ardhmen, traditën me zhvillimin dhe përpjekjen me ëndrrën.

Urime të përzemërta dhe suksese të shumta në çdo hap të këtij udhëtimi të ri!” 

Trashëgimia që vazhdon me vizion

Pas fjalimit të Elvirës, mbrëmja u kthye në një festë të kujtesës, krenarisë dhe dashurisë për punën.

Çdo detaj i projektit Si’Hana është një rrëfim për mënyrën se si Fetahu Grup e ka ndërtuar suksesin me duar që punojnë, me mendje që inovojnë dhe me zemra që besojnë te familja.

Elearta Fetahu, përfaqësuesja e brezit të ri, do të jetë tashmë në krye të këtij projekti, duke vijuar traditën familjare me profesionalizëm, përgjegjësi dhe frymë bashkëkohore.

Një model i ri mikpritjeje shqiptare

Me hapjen e Si’Hana Hotel & Restaurant, qyteti i Elbasanit fiton jo vetëm një destinacion luksoz për qëndrime dhe kulinari, por edhe një shembull të sipërmarrjes me shpirt, që bashkon vlerat familjare me vizionin modern të zhvillimit.

Kjo është ajo që e bën Si’Hana-n të veçantë.

Si’Hana është më shumë se një emër në treg: është një histori suksesi që ndriçon rrugën e së ardhmes.

“Si’Hana Hotel & Restaurant” – Elbasan është vendi ku tradita takohet me elegancën dhe dashuria për punën shndërrohet në art mikpritjeje.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME