BERAT -9 prill 2026/Albania Express News /Një aktivitet i veçantë multidisiplinor, i fokusuar në sigurinë rrugore dhe edukimin praktik të të rinjve, u zhvillua në ambientet e DRSHTRR Berat, duke sjellë një shembull konkret të bashkëpunimit mes institucioneve dhe shkollave.
Në këtë nismë mori pjesë edhe Drejtori i Përgjithshëm i DPSHTRR, z. Kreshnik Bajraktari, i cili zgjodhi të ishte pranë nxënësve dhe të ndiqte nga afër zhvillimin e aktivitetit, duke e kthyer këtë në një ditë ndryshe dhe frymëzuese për të gjithë pjesëmarrësit.
Nxënësit e Shkollës së Bashkuar “Koço Brisku” në Lapardha, Berat, u angazhuan në një orë edukative të dedikuar sigurisë rrugore, ku morën njohuri të rëndësishme mbi rregullat e qarkullimit dhe sjelljen e sigurt në rrugë që në moshë të hershme.

Ndërkohë, nxënësit e Shkollës së Mesme Profesionale “Stiliano Bandilli” zhvilluan një orë të hapur mësimore pranë Qendrës së Kontrollit Teknik, duke e çuar mësimin përtej klasës dhe duke u njohur nga afër me proceset teknike të kontrollit të mjeteve.

Ky aktivitet shënon një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një kulture më të fortë të sigurisë rrugore, duke ndërthurur ndërgjegjësimin që në moshë të hershme me përvojën praktike në terren, si një investim i drejtpërdrejtë për rrugë më të sigurta në të ardhmen.

albaniaexpress.al

