PEQIN, 5 tetor 2026 /Albania Express News/- Pas rreth tri orësh ndërhyrje janë shuar vatrat e zjarrit që përfshinë disa sipërfaqe në territorin e Bashkisë Peqin.
Një zjarr me përmasa të mëdha përfshiu një bllok me pemtore shegësh në fshatin Hasmashaj, pjesë e Njësisë Administrative Gjoçaj. Flakët u favorizuan nga era dhe u përhapën me shpejtësi, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme.
Për shuarjen e zjarrit u mobilizua i gjithë reparti i shërbimit zjarrfikës të Bashkisë Peqin, ndërsa në operacion u angazhuan edhe punonjës të emergjencave civile dhe banorë të komunitetit.
Pas disa orësh pune në terren, vatrat u neutralizuan dhe situata u vu nën kontroll. Zjarret e ditëve të fundit në territorin e Peqinit kanë shkaktuar shqetësim të veçantë për banorët dhe fermerët, për shkak të dëmeve të krijuara në sipërfaqe bujqësore, pemtore dhe ullishta.

