Parku Kombëtar “Shebenik” vijon të mbetet një nga destinacionet më tërheqëse të turizmit natyror në vend, ku shtegu “Llangë – Shpella e Akullit” spikat si një prej itinerareve më të bukura dhe më të frekuentuara. Ky shteg mund të përshkohet në çdo stinë të vitit, falë vështirësisë së moderuar dhe terrenit të përshtatshëm, duke u kthyer në një zgjedhje ideale si për adhuruesit e natyrës, ashtu edhe për turistët aventurierë.

Gjatë ecjes, vizitorët përballen me pamje mahnitëse, gjurmë të kalldrëmeve të vjetër dhe elementë që dëshmojnë historinë e zonës, të ndërthurura në mënyrë harmonike me natyrën e paprekur. Pyjet e dendura të ahut, kullotat malore të Letmit dhe burimet e shumta ujore i japin këtij shtegu një bukuri të veçantë, sidomos gjatë ditëve të nxehta të verës, kur ajri i pastër dhe freskia e natyrës ofrojnë një përvojë unike për vizitorët.

Në fund të shtegut, Shpella e Akullit shfaqet si një nga atraksionet turistike më mbresëlënëse të parkut, duke tërhequr gjithnjë e më shumë vizitorë vendas dhe të huaj. Ky destinacion po kthehet në një pikë referimi për turizmin e qëndrueshëm dhe aventurën natyrore, duke e bërë Parkun Kombëtar “Shebenik” një perlë të vërtetë të trashëgimisë natyrore shqiptare.


