Nga Çaush Kullafi
Shkolla 9-vjeçare “Vëllazërimi” në Tiranë përbën një shembull të spikatur të arritjeve në arsimin parauniversitar shqiptar. Ajo ka konsoliduar një profil të qartë falë punës së palodhur të stafit mësimdhënës, i cili shquhet për përgatitje profesionale dhe përkushtim ndaj misionit fisnik të edukimit. Rezultatet e larta në arritjet e nxënësve, pjesëmarrja në konkurse të ndryshme dhe fryma e bashkëpunimit ndërmjet mësuesve janë dëshmi e një pune të organizuar dhe me standarde bashkëkohore.
Një vend të rëndësishëm në këtë sukses zë drejtimi i shkollës. Drejtoresha Merita Prenga, me një vizion të qartë dhe profesionalizëm të spikatur, ka ditur të ndërthurë autoritetin me frymën bashkëpunuese, duke udhëhequr me dinjitet dhe qartësi drejtimi. Rëndësia e një lidershipi të kualifikuar në institucionet arsimore është vendimtare: ai krijon një klimë besimi, siguron kohezion të stafit dhe garanton qëndrueshmëri në objektivat afatgjata të shkollës.
Ambienti i shkollës “Vëllazërimi” është gjithashtu një tregues i kujdesit dhe vizionit për një mjedis miqësor e nxitës. Koridoret e saj, të mbushura me lule dhe dekorime, krijojnë një atmosferë që i ngjan një kopështi të gjallë, duke i dhënë çdo nxënësi ndjesinë e përkatësisë dhe dashurisë për shkollën. Ky detaj, në pamje të parë estetik, bart në vetvete një ndikim të madh edukativ: fëmijët rriten në një mjedis ku bukuria dhe pastërtia përçojnë kulturë dhe vlera.
Për vitin shkollor aktual, ndër objektivat kryesorë të shkollës është forcimi i bashkëpunimit me komunitetin. Kjo nismë synon të gjejë dhe të zhvillojë forma të reja partneriteti midis shkollës, familjeve dhe institucioneve të tjera të zonës. Këshilli i prindërve luan një rol të dorës së parë në këtë drejtim, pasi bashkëpunimi shkollë – familje është thelbësor për arritjet e nxënësve dhe për edukimin e tyre të plotë.
Një element me vlerë të shtuar është fakti që një pjesë e mësuesve, përfshi edhe drejtoreshën e shkollës, janë vetë pjesë e komunitetit ku ndodhet shkolla. Kjo krijon një lidhje të natyrshme, të ndërsjellë dhe të qëndrueshme midis shkollës dhe banorëve të zonës, duke e kthyer institucionin arsimor në një pikë referimi jo vetëm për nxënësit, por për të gjithë komunitetin.
Shkolla 9-vjeçare “Vëllazërimi” në Tiranë përbën një model se si arsimi, drejtimi cilësor dhe partneriteti me komunitetin mund të bashkëveprojnë për të ndërtuar të ardhmen. Ashtu siç thekson filozofia arsimore bashkëkohore: “Arsimi i vërtetë nuk synon vetëm të përgatisë fëmijët për të kaluar provime, por për t’i bërë ata njerëz të dobishëm për shoqërinë.”