orët e para të mëngjesit, në portin e Sarandës ka mbërritur kroçera “Sapphire Princess”, me një total prej 2,776 pasagjerësh në bord, të përfaqësuar nga një gamë e gjerë kombësish nga e gjithë bota.
Drejtori i Portit të Sarandës, Admir Malaj tha për ATSH-në se “kjo është hera e dytë që kroçerë viziton Sarandën, pas ndalesës së saj më 17 mars ku solli 2600 turistë”.
Sipas tij, kjo ndalesë pritet të sjellë një gjallëri të shtuar në qytet dhe të kontribuojë pozitivisht në zhvillimin e turizmit lokal.
Pjesa më e madhe e turistëve janë Amerikanë , Britanikë , Kanadezë dhe Spanjollë, ndërsa nuk mungojnë edhe vizitorë nga vende të ndryshme të Evropës, Azisë dhe më gjerë.
“Pas zbarkimit, turistët do të organizohen në grupe dhe do të nisin vizitat në destinacionet turistike në afërsi të qytetit të Sarandës, duke përfshirë atraksione historike, kulturore dhe natyrore”, tha Malaj.
Pjesë e itinerarit të turistëve janë qenë vizitat në pikat turistike të Sarandës si Butrinti, kalaja e Lëkurësit, Gjirokastra, Përmeti, Tepelena etj.
Edhe për këtë vit të ri turistik Saranda pritet të vizitohet nga një numër i lartë kroçerash duke u kthyer gjithnjë e më shumë në një ndalesë gjithëvjetore të tyre.
Saranda, në jug të vendit mirëpret çdo vit mijëra vizitorë vendas dhe të huaj. Me ujërat e kristalta, trashëgiminë historike dhe klimën mesdhetare, Saranda ofron një kombinim të përsosur për pushime relaksuese. Ajo shquhet për vende tërheqëse si Kalaja e Lëkurësit, Manastiri i 40 Shenjtorëve, Parku Kombëtar i Butrintit (UNESCO), si dhe plazhet e shumta me rërë të bardhë (Ksamil) dhe ujë të pastër.

