Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, zhvilloi një takim të frytshëm me Caroline Boeshertz, Drejtuese e Njësisë A5 për Marrëdhënie Ndërkombëtare Dypalëshe në DG SANTE (Drejtoria e Përgjithshme për Shëndetin dhe Sigurinë Ushqimore në Komisionin Evropian), dhe me ekipin e saj.
Në qendër të diskutimeve ishin sfidat dhe hapat konkretë për përmbushjen e kushteve të Kapitullit 12 – Siguria Ushqimore, një prej kapitujve më të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Ministri Salla theksoi rëndësinë e këtij kapitulli në procesin e integrimit dhe nënvizoi angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare për të vënë në dispozicion të këtij procesi të gjitha kapacitetet institucionale dhe teknike, me qëllim përafrimin e standardeve shqiptare me ato të BE-së.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e DG SANTE rikonfirmuan mbështetjen për Shqipërinë dhe shprehën gatishmërinë për forcimin e bashkëpunimit teknik, përmes rritjes së kapaciteteve njerëzore dhe zbatimit të një plani pune të përbashkët, që do të garantojë përparim të qëndrueshëm drejt integrimit evropian.