TIRANË,3 maj 2026/Albania Express News/Ka përfunduar në mënyrën më dramatike të mundshme faza “play-off” e Kategoria e Dytë, duke dhuruar emocione të forta dhe tension deri në sekondat e fundit. Dy përballjet vendimtare u zgjidhën vetëm nga pika e bardhë e penalltisë, aty ku nervat dhe fati shpesh bëjnë diferencën ,një “ruletë ruse” e vërtetë për skuadrat pretendente.
Në përfundim, Sopoti dhe Bylis B siguruan të drejtën për të vijuar betejën në fazën “play-out”, ku i presin përballje të zjarrta ndaj skuadrave të Kategoria e Parë: respektivisht Luftëtari dhe Kukësi.
Dramë në “Selman Stërmasi”, Sopoti triumfon me penallti
Në stadiumin Selman Stërmasi, përballja mes Sopoti dhe Shirokës ishte një duel i luftuar fort nga të dyja skuadrat. Takimi përfundoi 1-1 në kohën e rregullt, me golat e shënuar nga Ferhati në minutën e 30-të për Sopotin dhe Olamide në minutën e 14-të për Shirokën.

Pas 90 minutave të balancuara, gjithçka u vendos nga penalltitë. Lojtarët e Sopoti treguan më shumë saktësi dhe qetësi, duke fituar serinë 4-2. Momente vendimtare ishin gabimet e lojtarëve të Shirokës, përfshirë penalltitë e humbura nga Aminu dhe Hasaj, si dhe pritja vendimtare e portierit Alliu.
Goditja finale e realizuar nga Troski vulosi kualifikimin e Sopoti, që tashmë do të përballet me Luftëtarin në një sfidë jetike për qëndrimin apo ngjitjen në një kategori më të lartë.

Bylis B kalon me emocione ndaj Butrintit
Në sfidën tjetër të zhvilluar në stadiumin e Luzit, Butrinti dhe Bylis (ekipi B) nuk arritën të gjenin rrugën e rrjetës në kohën e rregullt, duke e mbyllur takimin në barazim 0-0.
Edhe këtu, fati u vendos nga pika e bardhë, ku Bylis B triumfoi me rezultatin 5-4 pas një serie të gjatë dhe emocionuese penalltish. Saktësia e lojtarëve ballshiotë bëri diferencën në një përballje ku çdo goditje peshonte sa një sezon i tërë.

Përballje vendimtare në “play-out”
Pas këtyre rezultateve, panorama e fazës “play-out” bëhet edhe më interesante dhe e fortë. Sopoti do të sfidojë Luftëtarin, ndërsa Bylis B do të përballet me Kukësin – dy skuadra me eksperiencë që vijnë nga Kategoria e Parë dhe që synojnë mbijetesën.
Këto duele pritet të jenë vendimtare dhe me presion maksimal, pasi do të përcaktojnë se cilat skuadra do të sigurojnë një vend në Kategorinë e Parë sezonin e ardhshëm.


