Nga Fatmir Popja
Operacioni i kërkim-shpëtimit për gjetjen e dy turistëve zviceranë të humbur në Parkun Kombëtar të Shebenikut po zhvillohet në kushte të vështira. Mendohet se çifti është larguar nga shtegu i shënuar dhe ndodhet në një zonë të rrezikshme, të thellë malore, në anën e fshatit Hotolisht, ku qasja është e pamundur me automjete apo kafshë transporti.
Sipas burimeve zyrtare nga Administrata e Zonave të Mbrojtura Elbasan, për të mbërritur në pikën ku mendohet se ndodhen turisti i plagosur dhe tjetri, grupit të kërkim-shpëtimit i nevojiten të paktën tre orë ecje e shpejtë në këmbë, përmes një terreni të thyer dhe të izoluar.

Në terren janë angazhuar punonjës të Zonave të Mbrojtura, policia e Librazhdit dhe forca të tjera mbështetëse, të cilët janë nisur drejt vendndodhjes së dyshuar që pas sinjalit të fundit të dhënë nga turistët.
Kushtet e vështira po e bëjnë misionin edhe më sfidues. Pavarësisht këtyre pengesave, grupi i ndërhyrjes është i vendosur të arrijë sa më shpejt pranë turistëve, për të dhënë ndihmën e parë dhe për të garantuar sigurinë e tyre.

Drejt vendit ku mendohet se ndodhen dy turistët zvicerianë është nisur edhe një ekip mjekësor, ndërkohë që po kryhen filmime kontrolli të territorit me dron, për të përcaktuar sa më shpejt dhe saktë vendndodhjen e tyre.

