Rritja e çmimeve të karburanteve, biznesi kërkon politika fiskale lehtësuese

TIRANË, 22 prill 2026/Albania Express News/ Biznesi paralajmëron se rritja e vazhdueshme e çmimeve të karburanteve po krijon një rrezik të menjëhershëm për ekonominë dhe fuqinë blerëse të qytetarëve.

Në një deklaratë të përbashkët, në Tiranë, organizatat kryesore të biznesit, përfshirë Forumin Ekonomik Mbarë Shqiptar, Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe Aleancën Kosovare të Bizneseve, nënvizojnë se tensionet gjeopolitike, pasiguria në tregjet globale të energjisë dhe ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit po rrisin kostot e prodhimit dhe shërbimeve, duke dobësuar konkurrueshmërinë rajonale të bizneseve dhe duke ulur fuqinë blerëse të familjeve.

Organizatat theksojnë se karburanti është një input strategjik për sektorë kyç si transporti, bujqësia, industria, turizmi dhe shërbimet, dhe çdo rritje e çmimeve prodhon një efekt zinxhir që ndikon drejtpërdrejt në aktivitetin ekonomik dhe vendimet për investime.

Për të përballuar krizën, biznesi kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga qeveria përmes politikave fiskale lehtësuese, transparencës në formimin e çmimeve, forcimit të kontrollit të tregut dhe mbështetjes për sektorët më të ekspozuar, si dhe masave afatmesme dhe afatgjata për krijimin e rezervave strategjike, diversifikimin e burimeve të energjisë dhe investime në energji alternative.

Në deklaratë theksohet gjithashtu rëndësia e një dialogu të hapur dhe të vazhdueshëm mes qeverive dhe komunitetit të biznesit për të hartuar politika që ruajnë vendet e punës dhe stabilitetin ekonomik dhe social në rajon.

Organizatat paralajmërojnë se çdo vonesë në ndërhyrje do të ketë kosto të drejtpërdrejtë për ekonominë, duke përfshirë rritjen e çmimeve, frenimin e investimeve, rrezikimin e vendeve të punës dhe pasoja afatgjata për stabilitetin ekonomik.

Ata kërkojnë veprim urgjent, të matshëm dhe të verifikueshëm nga institucionet shtetërore, duke theksuar se barrën e krizës nuk mund ta përballojë vetëm biznesi.

Forumi Ekonomik Mbarë Shqiptar është një organizatë jofitimprurëse e regjistruar në Tiranë që synon të krijojë një strukturë lobuese për përmirësimin dhe bashkimin ekonomik të hapësirës mbarëshqiptare, duke mbrojtur interesat e sipërmarrjes rajonale dhe promovuar bashkëpunimin ekonomik.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

TTW: Bum turistik në Shqipëri: Tirana dhe Riviera në qendër të vëmendjes

TIRANË, 23 prill 2026/Albania Express News/- Shqipëria po shfaqet...

Kushte të qëndrueshme atmosferike, parashikimi i motit për këtë të enjte

Ditën e enjte vendi ynë do të ndikohet nga...

Kupa e Shqipërisë/ KF Egnatia siguron finalen e madhe, AF Elbasani dorëzohet pas “dramës” së penalltive

Një betejë e vërtetë 120-minutëshe në “Elbasan Arena” ka...