Situata në Ngushticën e Hormuzit është gjithnjë e më e tensionuar.
Komanda Qendrore e SHBA-së gjithashtu njoftoi se ka “eliminuar gjashtë anije iraniane” që po ndërhynin në lundrimin komercial. Këto deklarata janë cilësuar si “të pavërteta” nga autoritetet iraniane.
Në zhvillimet e fundit, Irani njoftoi se kishte goditur me dy raketa një kreshnik të marinës amerikane për të parandaluar kalimin e tij në ngushticë. Po ashtu, një anije koreane-jugore u godit gjithashtu, dhe qeveria e Seulit ka nisur hetime mbi incidentin.
Ndërkohë, Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërcënuar se nëse një anije amerikane do të goditet, atëherë do e shkatërrojë Iranin.
Përditësimet LIVE:
19:46 Luftimet SHBA-Iran në Ngushticën e Hormuzit, gjenerali amerikan: Kemi fundosur gjashtë anije të vogla iraniane
Ushtria amerikane “shkatërroi” gjashtë anije të vogla iraniane në Ngushticën e Hormuzit sot, pasi Teherani lëshoi “raketa të shumta lundrimi, dronë dhe anije të vogla” në anijet e Marinës Amerikane dhe në anijet tregtare që “mbroheshin” nga ushtria amerikane, u tha gazetarëve shefi i Komandës Qendrore Amerikane, Admirali Bradley Cooper.
19:13 Tensionet në Ngushticën e Hormuzit, Trump kërcënon Iranin: Do të shkatërrohet nëse sulmon anijet amerikane
Tensionet në Ngushticën e Hormuzit vazhdojnë të rriten pas disa incidentesh të fundit, ku një anije e Koresë së Jugut u përfshi në një aksident dhe Irani pretendoi se kishte goditur një shkatërrues amerikan, pretendime të cilat Uashingtoni i ka mohuar. Sipas mediave amerikane, forcat amerikane janë autorizuar të godasin motoskafet e Gardës Revolucionare Iraniane në rast nevoje, ndërsa Irani ka paralajmëruar se ka skenarë të tjerë që mund të aktivizojë.
18:13 Zjarr masiv në portin kryesor të naftës në Emiratet e Bashkuara Arabe, autoritetet: Rrëzuam tre raketa iraniane
Një zjarr i madh ka shpërthyer në portin e Fujairah, një nga objektet kryesore të magazinimit dhe eksportit të naftës në Emiratet e Bashkuara Arabe, sipas autoriteteve lokale. Zyra e Medias e Qeverisë së Fujairah njoftoi në rrjetet sociale se ekipet e mbrojtjes civile janë angazhuar në përpjekjet për të vënë nën kontroll flakët dhe për të parandaluar përhapjen e tyre në zonat përreth.
16:56 Lufta në Lindjen e Mesme, përfshihet nga flakët anija e Koresë së Jugut që po lundronte në Ngushticën e Hormuzit
Një anije tregtare e Koresë së Jugut që lundronte pranë Ngushticës së Hormuzit u sulmua të hënën dhe u përfshi nga flakët, raporton mediat koreane, duke cituar një zyrtar të qeverisë së Seulit. Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Koresë së Jugut, qeveria po verifikon ende sulmin, por një kontroll i parë ka konfirmuar se nuk ka pasur viktima nga shtetasit koreano-jugorë.

